BE-ja hap kufijtë për shtetet e Ballkanit nga 1 korriku

Udhëtarët nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia – do të jenë shtetasit e parë që kanë të drejtë të udhëtojnë në Zonën Shengen, më 1 korrik, pas mbi tre muajsh mbyllje të kufirit.

Komisioni Evropian u ka paraqitur rekomandimin e tij shteteve anëtare të zonës Shengen dhe shteteve të asociuara Shengen të heqin kufizimet e udhëtimit gradualisht në varësi të kritereve të përcaktuara objektive për secilin vend, raporton Indeksonline.

Si rezultat, Komisioni ka rekomanduar heqjen e ndalimit të hyrjes për qytetarët e Ballkanit Perëndimor më 1 korrik, duke pasur parasysh se situata në lidhje me virusin në këto vende është e ngjashme ose më e mirë sesa në BE.

“Komisioni gjithashtu rekomandon heqjen e kufizimeve të udhëtimit për Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë që nga 1 korriku, duke pasur parasysh se situata e tyre epidemiologjike është e ngjashme ose më e mirë se ajo e BE-së”, shpjegon një njoftim për shtyp i lëshuar  nga Komisioni.

Sa i përket pjesës tjetër të qytetarëve jo-BE / EEA dhe Britanisë së Madhe, Komisioni sugjeron që heqja e kufizimeve për secilin vend specifik duhet të bazohet në situatën epidemiologjike dhe përgjigjen e koronavirusit në atë vend.

Ndërsa shtetasit e Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë do të kenë të drejtë të udhëtojnë në Zonën Shengen që nga 1 korriku, pa viza, qytetarët e Kosovës së shpejti do të jenë në gjendje të aplikojnë për viza siç Komisioni e ka këshilluar Shtetin Anëtar për të rifilluar operimet e vizave jashtë vendit.