Ballina Lajmet Kosovë Belgjika riafirmon mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Belgjika riafirmon mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Belgjika ka riafirmuar mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian e në NATO. Këtë mbështetje ia ka dhënë sot ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, homologut të tij kosovar, Ejup Maqedonci. Ky i fundit i rezervoi mysafirit në Prishtinë, pritje me nderime të larta ushtarake.

Avancimi i bashkëpunimit ushtarak ka qenë një nga temat që krerët e ministrive të Mbrojtjes nga Kosova e Belgjika diskutuan mes vete.

“Gjatë takimit u diskutua për akreditimin e afërt të atasheut të mbrojtjes të Republikës së Kosovës në Belgjikë, avancimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet dy vendeve, si dhe mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fushën e industrisë së mbrojtjes. Me këtë rast, ministri Francken riafirmoi mbështetjen e Belgjikës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, duke ritheksuar përkushtimin e këtij shteti mik ndaj së ardhmes euroatlantike të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Tutje thuhet se Kosova dhe Belgjika gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta euroatlantike, partneritet të qëndrueshëm dhe bashkëpunim të vazhdueshëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.