Biden thirrje amerikanëve të largohen nga Ukraina

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka paralajmëruar qytetarët amerikanë në Ukrainë që të largohen nga ky vend nga frika e agresionit të mundshëm rus, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Qytetarët amerikanë duhet të largohen nga Ukraina tani”, tha Biden për NBC News.

“Kjo nuk është një situatë si kur kemi të bëjmë me një organizatë terroriste. Kemi të bëjmë me një nga ushtritë më të mëdha në botë. Është një situatë krejtësisht tjetër dhe gjërat mund të dalin shpejt jashtë kontrollit”, tha ai.

Biden tha gjithashtu se nuk do të dërgojë trupa për të tërhequr amerikanët nga Ukraina.

“Do të ishte një luftë botërore nëse amerikanët dhe Rusia do të fillonin të qëllonin kundër njëri-tjetrit”, tha presidenti amerikan.

Rusia kohët e fundit grumbulloi më shumë se 100 mijë trupa pranë Ukrainës, duke shkaktuar frikë se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit të tij ish-sovjetik.

Moska zyrtare mohon me këmbëngulje se po përgatitet për pushtim, duke deklaruar se trupat janë atje për stërvitje. /aa