Bizneset që do t’u lejohet veprimtaria në fazën e dytë, vazhdon hapja graduale e ekonomisë

Tregtia me pakicë, gastronomia dhe floktarët janë disa nga llojet e bizneseve që do t’iu lejohet ushtrimi i aktiviteteve në fazën e dytë nga vendosja e masave të reja që nga përhapja e pandemisë së COVID-19 në Kosovës.

Lidhur me këtë, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë kishte prezantuar fazat lehtësuese dhe hapjen graduale të ekonomisë.

Ai kishte thënë se lehtësimi i masave është paraparë të bëhet në tri faza. E para do të nisë nga data 4 maj deri më 18 maj, faza e dytë do të jetë nga 18 maji deri më 1 qershor, ndërsa faza e tretë nis nga 2 qershori deri në vendimin tjetër.

“Katër maji është dita kur do të fillojmë heqjen graduale drejt një realiteti të ri. Masat e reja do jenë në përputhje me normalitetin e ri”, kishte njoftuar Vitia, përcjell Telegrafi.

Edhe ministrja në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari kishte thënë se ekonomia do të hapet gradualisht.

“Synimi është që ta hapim ekonominë gradualisht, për shkak se jemi të vetëdijshëm se kemi humbje të mëdha ekonomike, duke filluar nga likuiditeti dhe humbja e kontratave të punëtorëve. Jam e vetëdijshme që shumë punëtorë kanë humbur vendet e punës në sektorin e gastronomisë, ndërtimtarisë, atë të tregtisë me pakicë që janë mbyllur. Tani jemi duke punuar edhe për pakon e dytë e fiskale. Jam shumë pozitive që për shumë humbje që kemi, kemi edhe shumë shpresë. Falënderojmë bizneset që kanë respektuar masat”, kishte thënë Hajdari, përcjell Telegrafi.

MEPTINIS kishte nxjerr urdhëresën për mbarëvajtjen e bizneseve gjatë periudhës së pandemisë, ku për ato biznese që kanë punuar ishte urdhëruar që të merren masat higjienike.

Po ashtu, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transferëve është miratuar Pakoja Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.65 milionë euro, për t’i ndihmuar bizneset dhe individët që ta tejkalojnë këtë kohë të pandemisë.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë të ditur se nëse numri i të infektuarve me COVID-19 rritet, atëherë do të obligohen të shtyjnë fazën e dytë të lehtësimit të masave.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti pas mbledhjes së Komisionit për Shëndetësi ka kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë me respektimin e rekomandimeve në mënyrë që të mund të kalohet në fazën e dytë të lirimit të masave.

“Komiteti ka diskutuar situatën epidemiologjike dhe tërheq vërejtjen edhe njëherë që qytetarët të zbatojnë masat pasi kemi parë mosdisiplinim nga ana e qytetarëve në këtë kohë. Nëse numri i rasteve të infektuara rritet atëherë institucionet do të obligohen të shkojnë me ashpërsim të masave”, ka thënë Hoti.

Kjo është lista e plotë e aktiviteteve të bizneseve që do të hapen në fazën e dytë, duke filluar nga 18 maji deri më 2 qershor:
– Tregtia me pakicë
– Dentistët dhe fizioterapeutët
– Floktarët dhe sallonet e ondulimit
– Tregu i gjelbër
– Gastronomia
– Transporti hekurudhor
– Transporti urban dhe ndërurban
– Qendrat e thirrjeve