Bundesliga hyn në fazën vendimtare

Titulli i kampionit në Bundesligë do të vendoset në xhirot e fundit.

Dortmundi dhe Bayern Munichu, fituesi i dhjetë kampionateve të fundit, janë skuadrat më serioze për të triumfuar.

Në vitet e fundit, Bayerni ka dominuar plotësisht në ligë.

Por bavarezët me rezultatet e dobëta nën drejtimin e trajnerit të ri Thomas Tuchel, kanë mbetur në vendin e dytë me 59 pikë. Lider është Dortmundi.

Në kuadër të xhiros së 30-të, Bayerni luan të dielën në shtëpi kundër Hertha Berlinit, prej orën 15:30. Hertha është e fundit në tabelë.

Bayerni mposhti Dortmundin 4:2 në Mynih më 1 prill, por që nga ajo kohë ka marrë vetëm dy fitore në shtatë ndeshje nën drejtimin e Tuchelit, që zëvendësoi Julian Nagelsmannin e shkarkuar.

Me Tuchelin, Bayerni u eliminua nga Liga e Kampionëve dhe Kupa e Gjermanisë.

Me ndryshimin e trajnerit, presioni është bartur te shefi ekzekutiv i Bayernit, Oliver Kahn, si dhe te drejtori sportiv Hasan Salihamixhiq.

Gabimet e Bayernit, Dortmundi i shfrytëzoi vetëm në javën e kaluar. Mainzi fitoi përballë Bayernit 3:1, dhe “verdhezinjtë” morën kryesimin pas fitores 4:0 ndaj Eintracht Frankfurtit.

Katër ndeshjet e fundit për Dortmundin janë kundër Wolfsburgut dhe Borussia Moenchenlgadbachut në shtëpi, kundër Augsburgut si mysafir dhe kundër Mainzit në shtëpi.

Pas Hertha Berlinit, Bayerni viziton Werder Bremenin, e pret Schalken dhe Leipzigun, ndërsa e mbyll edicionin në udhëtim te skuadra e Koelnit.

Për ta fituar titullin, bavarezëve me shumë gjasë do t’u duhen fitoret në secilën ndeshje të mbetur. Përndryshe rrezikojnë të mbeten pa asnjë trofe në këtë edicion.