Ceremonia e betimit të kryetarëve të rinj në veri, larg ndërtesave komunale

Kryetarët e rinj të Zubin-Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit do ta nisin detyrën në fshatra me shumicë shqiptare, e larg qendrave të banuara kryesisht me serbë. Përpos betimit, edhe funksionin do ta ushtrojnë në Zyrat Lokale për Komunitete.

Autoritetet shtetërore kanë hequr dorë nga zotimi që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri ta bëjnë betimin në sallat e asambleve komunale.

Përfaqësuesit institucionalë kanë insistuar se do të sigurojnë qasje në objektet e komunave, ndonëse hyrjet e dy prej tyre u bllokuan me shufra hekuri nga serbët që i bojkotuan zgjedhjet.

Bazuar në përgatitjet që autoritetet kanë bërë një ditë para ceremonisë, kryetarët e rinj të Zubin-Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit detyrën do ta nisin në fshatra me shumicë shqiptare, e larg qendrave të banuara kryesisht me serbë.

Kjo sallë është njëra nga dy gjithsej sa janë në Zyrën Lokale për Komunitete dhe Kthim në fshatin Çabër të Zubin-Potokut.

Këtu do të betohet kryetari Izmir Zeqiri dhe objekti do të kthehet në seli të komunës. Ai shpreh pritjen që një ditë të kthehet në ndërtesën e komunës, në qendër.

Në një zyre të ngjashme në fshatin Bistricë, betimin do ta bëjë edhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Ai refuzoi të tregojë lidhur me përgatitjen për ditën e enjte.

Përbërja e re e kuvendit komunal në Zveçan, ka planifikuar ceremoni betimi ndryshe për kryetarin Ilir Peci. Ajo synohej të organizohej në kullën e Isa Boletinit, në fshatin Boletin.

Por, nuk u lejua.

Peci do të betohet në shkollën “Isa Boletini”, vetëm disa metra larg nga kulla.

Ndonëse vetë konfirmoi betimin në kullë, ai nuk i sqaroi arsyet e ndërrimit të lokacionit.

Fillimisht dha premtimin se për përgatitjet e ditës së betimit do të flasë nga qendra e Mitrovicës, por më vonë tha se ka takime të vazhdueshme e nuk mund ta bëjë.

Ceremonitë për nisjen e detyrës së kryetarit të ri të Zubin-Potokut dhe atij të Zveçanit janë paralajmëruar të nisin nga ora 10 e së enjtes, ndërsa ajo për kryetarin e Leposaviqit në orën 13 të së njëjtës ditë.

Ndryshe nga ta, javën e kaluar, në ndërtesën e komunës betimin si kryetar i Mitrovicës së Veriut e bëri Erden Atiq.

Zgjedhjet e parakohshme u organizuan në të katër komunat pasi u dorëhoqën autoritetet lokale të dominuara nga Lista Serbe. Serbët e bojkotuan procesin elektoral dhe nuk i njohin kryetarët e rinj.