Çfarë u diskutua në takimin Rama-Kurti

Pas disa orësh takim, kryeministri Edi Rama ka postuar foto me kandidatin për kryeministër të Kosovës, Albin Kurtin. Mes tyre ndodheshin ish ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe aktori i madh francez Gerard Depardieu, që po xhiron një film në Shqipëri.

“Në mes të një bashkëbisedimi të gjatë prej disa orësh me Albinin, ku hapëm shumë tema të bashkëpunimit dhe mirëkoordinimit të dy qeverive, patëm një moment pushimi të veçantë, me autorët kosovarë dhe aktorin e madh Gerard Depardieu, të cilët po xhirojnë në Shqipëri filmin Unë dhe Millosheviçi”, shkruan shefi i qeverisë.

Zyrtarisht nuk ka asnjë njoftim për ato që u diskutua, por temat mendohet se ishin të shumta, që nga “Shengeni ballkanik”, ku Kosova e ka një ftesë, për të vijuar tek një seri marrëveshjesh që janë firmosur nga të dy qeveritë ndër vite, por që kanë pika të pa implementuara dhe të mbetura në letër. Rama javën e kaluar deklaroi se do t’ i propozonte Kurtit figurën e një ministri shteti për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë./ Opinion.al