“Çmendet” Juventusi, do shërbimet e Pogba dhe Mbappe

Pas Cristiano Ronaldos, Juventusi tenton të kryejë një tjetër goditje të madhe. Sipas asaj që shkruan e përditshmje torineze “Tuttosport”, bardhezinjtë kanë vendosur në shenjestrën e tyre dy futbollistë mjaft cilësorë. Bëhet fjalë për Kylian Mbappe dhe Paul Pogba, me presidentin Andrea Agnelli që dëshiron të krijojë një skuadër vërtetë konkuruese në sezonet e ardhshme.

Për yllin e PSG-së operacioni është mjaft i komplikuar, me francezin që është i lidhur me klubin e Ligue 1 deri në verën e vitit 2022. Ai shikohet si një zëvendësues ideal i 5 herë fituesit të “Topit të Artë”, ndërkohë që për Pogba situata është disi më e thjeshtë. Ylli i Manchester United ka një krisje të marrëdhënies me trajnerin Jose Mourinho, megjithatë shkarkimi i portugezit do të ndryshonte vendimin e mesfushorit, i cili duhet thënë se po e mendon seriozisht largimin.

Barcelona gjithashtu është e interesuar, por francezi luajti sezonin më të mirë të karrierës së tij në Torino dhe mund të tundohet për t’u kthyer sërish. Nuk dihen ende shifrat që Juventusi është gati të shpenzoj për njërin nga yjet botërorë, por duhet thënë se shifrat pritet të jenë stratosferike./Ora News.