Dashi me brirë katër pëllëmbë

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Një njeri i pasur, por dorështrënguar, kishte dhënë fjalën: “Nëse më jep Allahu një fëmijë, do ta bëj kurban një dash me brirë katër pëllëmbë.”

Pas disa kohësh, i lindi një djalë. Filloi të kërkojë gjithandej një dash me brirë katër pëllëmbë, sepse dëshironte ta mbajë fjalën e dhënë, por nuk arrinte ta gjente dot një dash të tillë.

Pyeti edhe gjithë dijetarët e fesë, por nuk i dhanë dot zgjidhje. Më në fund, dikush i tha se imam Ebu Jusufi mund t’ia gjente një zgjidhje. Pasaniku shkoi tek imam Ebu Jusufi dhe iu lut që t’i gjente një zgjidhje hallit të tij. Imam Ebu Jusufi që e dinte se ishte dorështrënguar, i tha: “Unë mund ta gjej një zgjidhje, por kam një kusht!”

“Çfarë kushti ke?” – pyeti pasaniku.

“Ti je i pasur, po ndërtove katër shkolla për nxënësit e varfër dhe katër dyqane për të plotësuar nevojat e këtyre shkollave, unë do ta zgjidh problemin.” – i tha imam Ebu Jusufi.

Pasaniku e pranoi këtë kusht.

Ditën e Bajramit, imam Ebu Jusufi solli një dash normal dhe një fëmi 5 vjeç. I tha vogëlushit t’i matë brirët e dashit, dhe i dolën katër pëllëmbë.

Imam Ebu Jusufi i tha: “Ja, ky është dashi që ke premtuar, sepse ti nuk e ke cilësuar madhësinë e pëllëmbës.”

Pasaniku e bëri kurban dashin dhe e mbajti fjalën për t’i ndërtuar shkollat dhe dyqanet.

Nga: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)