De Biasi: Kosova më pëlqeu, meritoi më shumë

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni de Biasi, ka vlerësuar se Kosova ka merituar më shumë se një pikë që mori në ndeshjen eliminatore ndaj Finlandës më 5 shtator, shkruan sot Koha Ditore.

De Biasi në një intervistë dhënë “Ora News”, të enjten, ka thënë se Kosova e ka nisur me këmbë të mbarë rrugën për kualifikim në kampionatin botëror “Rusia 2018”. Kosova në ndeshjen e parë kualifikuese për botërorin 2018 në Turku të Finlandës barazoi 1:1.

De Biasit i ka pëlqyer mënyra se si ka luajtur Përfaqësuesja e Kosovës kundër një skuadre me më shumë përvojë.

“E pashë një pjesë të mirë të ndeshjes së parë të saj me Finlandën. Ka bërë një ndeshje të mirë dhe jam i kënaqur për të për faktin që si një skuadër e re, në një debutim të tillë, nisi me këmbë të mbarë. Meritonte diçka më shumë nga rezultati, sidoqoftë një nisje e mirë, e bukur”, ka thënë De Biasi.
De Biasi ka thënë se Kosova e ka grupin më të vështirë se Shqipëria. Ai në humor i tha gazetarit që të t’ia publikojë të gjitha që i thotë, përfshirë edhe lavdet për Kosovën.

“Kosovës i ka rënë që të jetë në një grup realisht shumë të fortë. ‘Pak’ më i vështirë se grupi ynë. Luan kundër Kroacisë, Ukrainës, Turqisë. Mos ma fshij në montazh këtë që po e them”, tha buzagaz De Biasi.