Deputeti Milaim Zeka kërcënon prokurorin, reagon KPK-ja

Këshilli Prokurorial i Kosovës dënon ashpër deklarimet publike dhe kërcënimet, të cilat kohëve të fundit janë drejtuar ndaj prokurorëve të shtetit, në veçanti, dënon sot deklarimin kërcënues të deputetit të Nismës Socialdemokrate Milaim Zeka ndaj prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Afrim Shefkiu.

Në një komunikatë për media thuhet se mbrojtja e pavarësisë dhe autoritetit të prokurorit është obligim kushtetues dhe ligjor, andaj aktet e tilla janë të patolerueshme dhe paraqesin ndërhyrje të drejtpërdrejta në misionin e Prokurorit të Shtetit.

Me këtë rast, Këshilli Prokurorial i Kosovës qëndron pranë prokurorëve, duke i mbështetur ata fuqishëm në ushtrimin e mandateve të tyre.

Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron të gjithë se këto kërcënime janë duke u trajtuar seriozisht dhe në nivelin e urgjencës, të cilën e meritojnë.