Ballina Lajmet Kosovë Dita e dytë e deklaratave përmbyllëse, prokuroria shpalos kërkesat penale

Dita e dytë e deklaratave përmbyllëse, prokuroria shpalos kërkesat penale

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, sot vazhdon dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar se ditën e martë prokurorëve do t’u nevojiten më pak se dy orë për të shpalosur përgjegjësitë penale të të akuzuarve, ndërsa në fund prokurorja e specializuar, Kimberly West, do të mbajë fjalën përmbledhëse.

Dje, West bëri të ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, apo gjithsej 180 vjet burgim.

Gjatë deklaratës përfundimtare të Prokurorisë, prokurori Nathan Quick tha se Adem Demaçi kishte një rol të kufizuar në krijimin e institucioneve, por, sipas tij, ai ishte vartës i Hashim Thaçit.

Quick shtoi se, krahas rolit politik, Kadri Veseli kishte edhe funksionin e shefit të shërbimit informativ.

Në ditën e parë, prokurorët e specializuar folën për rolin që kishin të katër të akuzuarit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur këtë organizatë si një strukturë me hierarki të qartë.

Ndryshe çështja përfshin katër ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Sipas aktakuzës, pretendohet se krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Më 15 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Më 15 prill 2025, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet. Në vendimin e tij gojor më 16 korrik 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e përbashkët të Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave në bazë të rregullës 130 të Rregullores. Më 16 dhe 17 korrik 2025, Mbrojtësi i Viktimave paraqiti provat në gjykatë.

Konferenca Përgatitore e Mbrojtjes u mbajt më 19 gusht 2025, dhe paraqitja e provave dhe argumenteve nga Mbrojtja filloi më 15 shtator 2025, ku vetëm ekipet e Mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit paraqitën prova.

Më 2 dhjetor 2025, të dy ekipet e Mbrojtjes përfunduan paraqitjen e provave të tyre, ndërsa më 18 dhjetor 2025 u mbyll procedura e paraqitjes së provave.

Në këtë çështje gjyqësore janë 155 viktima pjesëmarrëse.