DnV: Në veri kishte presione ndaj votuesve

Procesi zgjedhor i ka përmbushur standardet vendore dhe ndërkombëtare, ku përjashtim bëjnë komunat me shumicë serbe, me ç’rast votuesve u është bërë presion për të votuar.

Kështu ka deklaruar Albert Krasniqi nga Demokracia në Veprim (DnV) në një konferencë për media.

“Problemet më serioze që e kanë shoqëruar procesin zgjedhor ka qenë mospërputhja ndërmjet votave për kryetar të komunave dhe atyre për kuvendet komunale. Një problem tjetër është shfaqur në komunën e Deçanit, ku si pasojë e ngatërrimit të vulave është ndërprerë procesi i votimit deri në zëvendësimin e tyre”, tha ai.

Sipas tij, DnV vlerëson se KQZ ka filluar me vonesë informimin e votuesve dhe kjo mund të çojë në një numër të madh të fletëvotimeve të pavlefshme, ndërsa trajnimet profesionale janë të mirëseardhura.

Krasniqi theksoi se DnV do të dalë me një raport përfundimtar pas numërimit të votave.