Një rrugëtim politik i gjatë, ku pushteti u trajtua si terapi personale dhe Shqipëria si pacienti i harruar…
Në analet e historisë politike shqiptare, Sali Berisha, kardiolog në profesion, është sjellë si një kirurg që pasi hap trupin e pacientit në sallën e operacionit, harron t’i mbyllë plagën sepse është i zënë duke admiruar veten në pasqyrat e sallës.
I vetëshpallur si “shpëtimtari” i kombit në vitin 1992, Doktori duket se gjatë tre dekadave ka pasur vetëm një pacient prioritar: pushtetin e tij. Karriera e tij nisi me premtimin për demokraci, por u shndërrua shpejt në një autokraci.
Ironia e parë e madhe shpërtheu në vitin 1997. Një mjek i vërtetë, do të kishte dalluar simptomat e një gangrene financiare siç ishin firmat piramidale. Por “Doktori” zgjodhi t’u thoshte shqiptarëve se paratë e tyre ishin “më të pastrat në botë”.
Rezultati? Pacienti – Shqipëria – përfundoi në reanimacion, ndërsa Doktori u largua nga pushteti duke fajësuar këdo tjetër përveç recetës së tij vdekjeprurëse. Berisha ka ndërtuar imazhin e tij si njeriu i parimeve të forta, por në realitet zemra e tij nuk ka rrahur për institucionet, por për kontrollin e tyre.
Ai ka treguar se më shumë sesa të shërojë plagët e shoqërisë, ka synuar të mbajë gjallë aparaturat e pushtetit për mbijetesën e tij politike. Ky kontrast mes retorikës dhe veprimeve, e ka shndërruar figurën e tij në një kardiolog pa ndjeshmëri, që nuk dëgjon rrahjet e zemrës së shoqërisë, por vetëm tingujt e interesave personale.
Ngjarja e Gërdecit mbetet një plagë e hapur ku duhej transparencë dhe përgjegjësi, por pati vetëm mjegull dhe justifikime, ndërsa viktimat mbetën pa drejtësi. Rruga e Kombit, që duhej të ishte arteria e zhvillimit ekonomik, u kthye në një shembull të korrupsionit të institucionalizuar, ku populli pagoi faturën dhe pushteti përfitoi.
Kulmi i mungesës së ndjeshmërisë u pa më 21 Janar 2011, kur katër qytetarë humbën jetën dhe kur etika politike u thye përfundimisht përballë instinktit të mbijetesës. Ky kapitull i historisë së tij politike e shfaq Berishën si një mjek që nuk kuron plagët e shoqërisë, por vetëm kontrollon aparaturat e pushtetit për të mbajtur gjallë mitin e tij personal.
Tani, në muzgun jo vetëm të karrierës por edhe të jetës së tij, Berisha ndodhet në paradoksin më të madh. Ai që dikur premtonte integrimin e Shqipërisë në botën perëndimore, sot është shpallur “i padëshiruar” nga aleatët kryesorë të Shqipërisë.
Në vend që të bënte një akt fisnik tërheqjeje – ashtu siç një kirurg del në pension kur duart nisin t’i dridhen – ai zgjodhi të marrë peng forcën e tij politike. Në të vërtetë, Berisha nuk po lufton për demokratët, as për shqiptarët.
Ai po lufton për të mbajtur në jetë, me aparatura artificiale, mitin e tij të pathyeshmërisë. Në këtë përpjekje të dëshpëruar për të ruajtur pushtetin, ai nuk synon vetëm mbijetesën politike, por edhe mbrojtjen e interesave ekonomike të familjes së tij.
Pushteti për të nuk është thjesht një mjet për të ndikuar politikisht, por një garanci për të ruajtur privilegjet dhe pasuritë që janë ndërtuar gjatë dekadave të sundimit të tij. Kjo e bën edhe më të qartë se “doktoratura” e tij politike nuk ka qenë kurrë për të shëruar Shqipërinë, por për të vaksinuar veten dhe rrethin e ngushtë nga pasojat e përgjegjësisë.
Në fund të ditës, Sali Berisha mbetet një “Doktor” që di të kurojë vetëm egoizmin e tij politik. Shqipëria ka nevojë për një qasje të re, për vizione që nuk ushqehen me konfliktet e viteve ’90 dhe për udhëheqës që nuk e shohin shtetin si laborator personal eksperimentesh.
Pra Berisha mbetet doktori i vetes – mjeku që kuron dhe kujdes për intersat e veta familjare dhe të njerëzve që mban pranë – ndërsa pacienti i vërtetë, Shqipëria, ka kohë që kërkon një vizitë tjetër. Madje, edhe protesta e fundit e dhunshme të shtunës, ishte ëshmi e qartë se kultura e dhunës e ka shoqëruar Berishën gjatë gjithë karrierës së tij. Ajo nuk është një rastësi, por vazhdimësi e një modeli politik ku përplasja, tensioni dhe gjaku janë përdorur si instrumente për të mbajtur gjallë pushtetin.
Kjo është trashëgimia e tij më e dukshëm: një recetë e vjetëruar, e bazuar jo te shërimi, por në plagosjen e vazhdueshme të trupit të mëmëdheut. /tesheshi



