Dyshimet për dallavere me rezervat shtetërore, nis seanca gjyqësore

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e “Rezervave shtetërore” ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit.

Kujtojmë se aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit u ngrit, më 11 nëntor 2025 nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila e akuzon atë për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Hajdari dhe dy zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, sipas prokurorisë, dyshohen se në bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.

Aktakuza pretendon se buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej rreth 3 milionë eurove si pasojë e veprimeve të të akuzuarve.

Ata dyshohet se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.