Presidenti Recep Tayyip Erdogan, njëherësh kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), deklaroi të premten se çelësi i paqes botërore sot është Jerusalemi, siç ka qenë edhe për mijëra vjet.
Duke folur në Mbledhjen e Zgjeruar të Kryetarëve të Degëve të AK Partisë, mbajtur në selinë e kësaj force politike në Ankara, Erdogani tha se “nëse shembet edhe shtylla e paqes, Jerusalemi, do të zërë nën vete tërë botën”.
Ai theksoi se me pseudoplanin e paqes për Lindjen e Mesme, prezantuar më 28 janar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, synohet aneksimi i territoreve të pushtuara palestineze.
“Nëse sot nuk arrijmë të mbrojmë privatësinë e Xhamisë al-Aksa, nesër s’do të pengojmë dot që syri i lig t’i kthehet Qabesë. Prandaj Jerusalemi është vija jonë e kuqe”, u shpreh kreu i shtetit turk duke potencuar se Jerusalemi është sot çelësi i paqes në botë, sikurse ka qenë më parë për mijëra vjet.
Më tej, Erdogani kritikoi botën islame për heshtjen në lidhje me Palestinën.
“Kur shikoj qëndrimet e shteteve në botën islame, më dhimbset gjendja jonë”, tha ai dhe ngriti pyetjen: “Sidomos Arabia Saudite, përse nuk e ngre zërin, kur do ta bësh?”
Sipas tij, braktisja e tërë Jerusalemit në panxhat gjakatare të Izraelit do të jetë e keqja më e madhe ndaj të gjithë njerëzimit.
“Një shtet ku njerëzit e pafajshëm zyrtarisht ekzekutohen rrugëve, nuk mund të ketë asnjëherë respektin tonë. Pak më vonë do të bisedoj me Mahmoud Abbas dhe më pas me Ismail Haniyeh. Këto çështje do t’i vlerësojmë së bashku”, u shpreh presidenti turk mes të tjerash.







