EVN-ja do i shkretojë vendbanimet tona?!

Dhe gjithmonë ndodh e njëjta: porsa vjen dimri, vendbanimet tona rurale mbeten pa energji elektrike. Apo kanë rrymë elektrike vetëm aq sa të marrin telefonin e me orë të tëra të presin deri sa t’u përgjigjet operatori i kësaj ndërmarrjeje, e që t’i informojë se bëhet fjalë për defekt, i cili është duke u riparuar?!

E ky defekt, siç duket është aq i madh sa nuk mund të mënjanohet vite me radhë, me çka edhe EVN-në e bënë kompani që shpërndanë terr e jo dritë, e neve na përballë me mosguximin tonë qytetarë që njëherë e mirë t’i pastrojmë llogaritë me furnizuesit që kanë mekanizma të na detyrojnë t’i paguajmë obligimet ndaj tyre, por që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi kur nuk i përmbushin detyrimet që kanë ndaj nesh.
Dhe kështu pra, jo vetëm sot, por vite me radhë, posa vjen dimri, ne nisim të ankohemi nga EVN-ja, e ajo fillon ta riparojë defektin disavjeçarë. E pastaj, kur përfundon dimri, vjen vera, nisë të na ngrohë dielli dhe ne harrojmë hallet e dimrit, me çka edhe EVN-ja nuk ka pse merret me defektin që nuk ia del ta riparojë thuajse dhjetë vite me radhë.
Por me ardhjen e verës, aq na mundon i nxehti, sa nuk e vërejmë se vendbanimet tona kanë gjithnjë e më pak të rinj. Siç nuk e vërejmë se një nga arsyet pse ata e braktisin vendlindjen është edhe shkaku se kanë frikë të rrisin fëmijë këtu ku, ndodh thuajse çdo natë, që atëherë kur femijës duhet t’ia bësh inhalacionin, EVN-ja të jetë duke e riparuar defektin disavjeçarë të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike?!
Ndërkohë duhet thënë e gjithë e vërteta: përpos EVN-së e cila me dashje, apo pa dashje, e ndihmon shkretnimin e vendbanimeve tona, ka edhe shumë nga ne që nuk leshojm xhuma-namaz pa falur, por që mendojmë se vjedhja e energjisë elektrike nuk është hajni, e me çka e ndihmojmë EVN-në të tallet me ne si t’ia dojë qejfi.
Po pra, ka vite që vendbanimet tona furnizohen me energji elektrike si i burgosuri me liri. Edhe atë vetëm pse ne nuk mund ta ‘riparojmë’ një defekt tonin, e që ka të bëj me atë se kësaj ndërmarrjeje i hidhërohemi vetëm kur vjen dimri. Si dhe shkaku se kompanitë e mëdha e kuptuan një gjë: fati i tyre nuk varet nga ajo sa do i përmbushin obligimet ndaj nesh, por sa do i mbushin xhepat e përfaqësuesve tan politik.

Nga Kim Mehmeti