Evropa në alarm: Kontinenti përgatitet për stuhi me erëra të forta dhe reshje bore

Franca dhe Britania e Madhe janë në alarm pasi stuhia “Goretti” po godet bregdetin e Atlantikut në Evropë, duke sjellë erëra të forta dhe valë të larta ndërsa vende të tjera, përfshirë Poloninë, Italinë dhe Suedinë, po përgatiten për të ftohtë ekstrem dhe borë të madhe, transmeton Anadolu.

Ndërsa stuhia “Goretti” po sjell erëra të fuqishme dhe valë të larta në një pjesë të madhe të Francës veriperëndimore, Meteo-France njoftoi në platformën amerikane X se departamenti Manche në Normandi ka aktivizuar alarmin e kuq për erërat ndërsa disa departamente të tjera janë në alarm portokalli për erë dhe përmbytje bregdetare.

Prefekti i Manche-it, Marc Chappuis njoftoi për transmetuesin BFMTV se shkollat do të jenë të mbyllura të premten në mëngjes ndërsa hyrja në parqe, kopshte dhe zonën publike detare gjithashtu do të ndalohet.

Duke e përshkruar këtë fenomen si “të jashtëzakonshëm”, ai vuri në dukje se një mesazh paralajmërues u dërgua në të gjitha telefonat dhe konfirmoi se 800 zjarrfikës do të mobilizohen gjatë natës.

Ndërkohë, Zyra Meteorologjike (Met Office) e Britanisë lëshoi paralajmërim portokalli për erë në Cornwall dhe Ishujt Scilly, duke paralajmëruar se stuhia mund të dëmtojë ndërtesat, të dëmtojë rrjetet e transportit me mbyllje dhe anulime dhe të shkaktojë ndërprerje të energjisë elektrike.

Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, Italia pritet të përballet me erëra të forta nga perëndimi, me Kalabrian dhe Sicilinë më të prekura nga shiu i madh dhe bora ndërsa disa pjesë të vendit do të përballen edhe me temperatura nën zero.

Polonia gjithashtu po përgatitet për temperatura deri në minus 30 gradë, gjë që shtyu kryetarin e Varshavës të mbledhë takim emergjent të ekipit të menaxhimit të krizës të kryeqytetit, raportoi transmetuesi “TVP World”. Shërbimi meteorologjik suedez, SMHI lëshoi paralajmërime të kuqe dhe portokalli në gjithë vendin pasi priten reshje të dendura bore dhe erëra të forta.