Familja në udhëkryq

Nuredin Nazarko

Sfida më themelore e familjes në periudhën e tranzicionit mbetet koncepti mbi familjen. A është familja vetëm një institucion që realizon funksionet biologjike dhe përmbush nevojat materiale të anëtarëve të saj apo është shumë më tepër se kaq? A është familja vetëm një bashkim në martesë i një burri dhe një gruaje që duhet të zëvendësojnë minimalisht vetet e tyre në këtë botë apo është një institucion ku pjesëtarët e saj ndërveprojnë me njëri-tjetrin për të garantuar jo vetëm mirëqenien materiale po edhe atë emocionale?

Nuredin NAZARKO, Korçë

Vazhdimësia e jetës mbi sipërfaqen e tokës është pazgjidhshmërisht e lidhur me formimin e familjes. Familja është bashkimi i një burri dhe një gruaje, jo thjesht i një mashkulli dhe një femre, me vullnetin e tyre të plotë. Çdo përcaktim tjetër është në kundërshtim me natyrshmërinë e rendit primordial.
Familja është themeli mbi të cilin ndërtohet njeriu dhe mbi këtë themel qëndron familja e re, atdheu, shoqëria. Fortësia ose dobësia e këtij themeli është kusht i patjetërsueshëm për një familje me principe konservatore ose për një familje që mbështillet nga vorbullat e dëmshme të liberalizmit.
Shqipëria e pas vitit 1990-të në drejtimin politik, ekonomik, shoqëror dhe kulturor po ecën në një rrugë të vështirë ndryshimesh. Nga njëra anë është trashëgimia e fortë komuniste, ndërsa nga ana tjetër janë tendencat demokratizuese liberale dhe në mes tyre qëndron tradicionalizmi.
Komunizmi u përpoq të zhbënte shumëçka prej traditës, duke i etiketuar normat e saj si mbeturina dhe zakone prapanike. Reaksioni duhej zhbërë në të gjitha drejtimet. Duhej vazhduar me intensitet më të lartë dobësimi i rrënjëve të familjes konservatore, për të ndërtuar familjen e re me frymë politike. Tjetërsimi i familjes mori trajtë përgjatë regjimit komunist, ndërsa pas “rënies” së tij përfshirja e familjes nga vorbullat e liberalizmit e kishte rrugën të shtruar.
Periudha e tejzgjatur e tranzicionit po nxjerr gjithmonë e më në pah sfidat me të cilat është duke u përballur familja shqiptare. Jeta pa sfida nuk ka kuptim, por duhet të kemi kujdes nga idetë që zgjedhim në raport me mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të familjes që të mos i shtojmë edhe më tepër sfidat ndaj mbajtjes në këmbë të familjes.
Sfida më themelore e familjes në periudhën e tranzicionit mbetet koncepti mbi familjen. A është familja vetëm një institucion që realizon funksionet biologjike dhe përmbush nevojat materiale të anëtarëve të saj apo është shumë më tepër se kaq? A është familja vetëm një bashkim në martesë i një burri dhe një gruaje që duhet të zëvendësojnë minimalisht vetet e tyre në këtë botë apo është një institucion ku pjesëtarët e saj ndërveprojnë me njëri-tjetrin për të garantuar jo vetëm mirëqenien materiale po edhe atë emocionale?
Familja, për tradicionalizmin, është qeliza bazë pa shëndetin e së cilës nuk ka pasardhës të denjë, nuk ka principe, virtyte drejt të cilave duhet të synojë njeriu të lartësohet. Për frymën liberale të ushqyer vazhdimisht gjatë tranzicionit, familja duhet t’i lerë gjërat të rrjedhin, sepse pjesëtarët e saj duhet të jenë “të lirë” të vendosin vetë se ç’duhet të bëjnë me jetët e tyre. Qëndrimi tradicionalist kritikohet si jashtë kohe, i vjetruar, model që nuk i përgjigjet sfidave bashkëkohore dhe prandaj duhet zëvendësuar me modelin libertinist, sepse kështu ka ardhur koha.
Për virtytet që lartësojnë njeriun dhe veset që shkatërrojnë njeriun nuk ka kohë që vjen apo shkon. Nuk mund të justifikohen shumë veprime të sotme që bien ndesh principeve me “kështu erdhi koha”. Ky lloj shtegu duhet mbyllur, sepse në emër të “kështu erdhi koha” hierarkia familjare duhet përmbysur, gjyshi dhe gjyshja na bëhen barrë dhe pengesë për shijimin e jetës, babai dhe nëna nuk duhen pyetur se ata janë vetëm për të plotësuar kërkesat materiale të fëmijëve, fëmijët u dashkan lënë “të lirë” nga tradicionalizmi (ndërkohë vazhdon të thithë si sfungjer idetë bashkëkohore mbi familjen dhe jo vetëm, të propaganduara me të madhe nga qarqet libertine), sepse nuk u dashka indoktrinuar me ide reaksionare. Ama për t’u indoktrinuar me idetë libertine nuk përbën aspak problem.
Në përpjekje për t’u modernizuar, familja shqiptare ka humbur shumë prej vlerave që duhej të ishin busulla në trazimet e sotme shoqërore. Si pasojë e ndryshimit mbi kuptimin e konceptit familje, sfidat që gjenden përballë familjes shqiptare në tranzicion janë:
1. Në përzgjedhjen e bashkëshortit oëe bashkëshortes po zënë vend gjithmonë e më shumë aspektet materiale të jetës, duke i lënë në hije ose duke mos u dhënë rëndësinë e duhur vlerave morale.
2. Familja po perceptohet si shoqëri aksionare, ku secili anëtar vlerësohet nga sasia e të ardhurave që sjell në familje dhe jo më si institucioni bërthamë, ku pjesëtarët gjejnë frymën e bashkëpunimit dhe përkujdesjes.
3. Rritja e ndjeshme e moshës së martesës, duke kaluar familjen në plan të dytë dhe karrierën në plan të parë.
4. Rënia e ndjeshme e numrit të lindjeve si pasojë e kushteve ekonomike, vonesës së moshës së martesës dhe, mbi të gjitha, si pasojë e koncepteve libertine, ku fëmijët nuk po shihen si bekim, por si një barrë që po nuk e shmange dot, atëherë lehtësoje sa më shumë.
5. Rritja e ndjeshme e kërkesave për plotësimin e të drejtave, duke lënë mënjanë detyrat ndaj familjes.
6. Humbja e një prej virtyteve të mëdha të njeriut, durimi. Që të ndërtosh dhe mbash në këmbë një familje duhet durim dhe përpjekje dhe në gjithë këtë hapësirë kohore duhet të cenosh shpesh rehatinë e qetësinë personale për të përmbushur një detyrë më të lartë dhe një mision më fisnik ndaj vetes dhe atdheut, familje e mbështetur në vlera dhe principe. Asgjë e mirë nuk është e lehtë për t’u arritur.
7. Sulmi ndaj tradicionalizmit dhe koncepteve të tij mbi familjen, herë duke e quajtur patriarkalizëm, herë maskilizëm, herë duke e ngatërruar me normat e traditës zakonore. Për rrjedhojë, familja shqiptare në tranzicion ka hyrë në një vorbull libretin, prej së cilës priten vetëm gjendje shqetësuese dhe të ngarkuara negativisht.
Cilat janë kostot që po paguan familja shqiptare sot si rezultat i kësaj pune të vazhdueshme kundër koncepteve tradicionaliste?
1. Trazimi i përhershëm në familje dhe humbja e paqes, harmonisë e begatisë, si dhe mungesa e dëshirës për të gjetur zgjidhje mbi bazë principesh, por vetëm mbi bazë egoizmi negativ.
2. Humbja e vlerës së respektit ndaj hierarkisë që reflektohet me mospërkujdesjen ndaj moshave më të vjetra dhe shtimin e numrit të azileve për moshat e treta, qoftë si pasojë e largimeve jashtë vendit të brezit të ri, qoftë si pasojë e filozofisë së të jetuarit komod sepse të vjetrit kanë huqe, na u bëkan të padurueshëm dhe na u duhet shërbyer kur të jenë të pamundur.
3. Fokusimi vetëm tek mirëqenia materiale dhe humbja e interesit ndaj principeve të një edukimi tradicionalist tek fëmijët, gje që po rezulton me fjalor dhe sjellje të pahijshme dhe të paskrupullt në familje, institucione arsimore, mjedise publike. Fëmijët e sotëm janë prindërit e së nesërmes, ndërsa prindërit e së nesërmes janë pasqyrë e shoqërisë që pritet të ndërtohet. Libertinizmi ecën mbi shinat e: e mundur – e pamundur. Konservatorizmi ecën mbi shinat e: e drejtë – e gabuar. Prandaj duhet shumë kujdes mbi cilat shina ecën edukimi i fëmijëve.
4. Mungesa e seriozitetit të trajtimit të çështjeve mbi familjen, duke e konsideruar familjen si çështje periferike, dytësore ose krejt të parëndësishme, me pretendimin se një jetë kemi dhe nuk ia vlen përpjekja për të mbajtur në këmbë themelin e njerëzimit. Mendjelehtësia në trajtimin e këtyre çështjeve ka për të krijuar një masë amorfe që për të shenjtë e ka libertinizmin dhe jo konservatorizmin.
5. Rritja e vazhdueshme e numrit të divorceve dhe e familjeve me një prind, çka e shton vështirësitë për përballimin e mirërritjes dhe mirëedukimit të fëmijëve si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë shpirtëror.
Ç’duhet bërë?
Përkapje me mish e me shpirt ndaj principeve të tradicionalizmit sado jashtë kohe të duken. Qëndrueshmëri dhe durim në zbatimin e tyre. Punë e vazhdueshme për të folur dhe treguar vlerën e këtyre principeve për familjen, shoqërinë e atdheun.
Familja duhet të jetë si varka që lëkundet mbi valë, që lundron në ngushtica dhe për të mos u fundosur duhet t’i shmangë shkëmbinjtë nënujorë të filozofive libertine mbi jetën. / revistashenja