Feja kundër shkencës edhe në kohë pandemie?!

Kur është në pyetje raporti fe – shkencë, kryesisht kemi tri qasje në historinë e të dyjave: e para pretendon se midis fesë dhe shkencës ka një përplasje dhe kundërshti të vazhdueshme, se njëra nuk e pranon tjetrën dhe e refuzon atë tërësisht. Kjo e gjen veten në maksimën e njohur që i përshkruhet Tertullianusit (v. 160): «Credo quia absurdum est» (Besoj, sepse është absurde, kundër arsyes). Kjo është kryesisht qasja e filozofëve ateistë që e gjejmë te mësimi pozitivist i Auguste Comte si dhe te britanezi Richard Dawkins.

Qasja e dytë pretendon se feja dhe shkenca janë dy fusha të ndryshme dhe se s’kanë asgjë të përbashkët, pra madje as edhe elemente kundërshtuese. Kjo reflektohet te veprat e Immanuel Kantit, Edmund Husserlit, madje edhe te Martin Heideggeri. Por ka edhe mjaft teologë muslimanë e jomuslimanë që e mbështesin këtë, duke pretenduar se feja dhe shkenca kanë paradigma të ndryshme, të dyja janë të pavarura nga njëra-tjetra dhe se nuk duhet krijuar asnjëfarë lidhje midis të dyjave. Kjo është në fakt edhe qasja më e përhapur për këtë pikë. Qasja e tretë pretendon një lidhshmëri të dobishme dhe të frytshme midis fesë dhe shkencës, se ato në fakt mund dhe duhet të krijojnë së paku një dialog midis tyre, që mund të shtrihet edhe deri në një bashkëpunim më të zgjeruar. Për këtë në botën islame i kemi filozofët muslimanë si El-Kindi dhe Ibni Rushdi (Averroesi) dhe të tjerë jomuslimanë si Leibnizi dhe shkencëtari Newtoni, të cilët kanë pohuar se feja e drejtë nuk e kundërshton filozofinë e drejtë dhe e kundërta. E njëjta vlen edhe për raportin shkencë – fe (Caner Taslaman, 2012). Sipas kësaj, për shembull, të arriturat shkencore mund të ndihmojnë dukshëm në të kuptuarit më të drejtë të mësimeve të fesë dhe të parimeve të saj teologjike. Feja e drejtë nuk e kundërshton shkencën e shëndoshë, por përkundrazi e mbështet atë dhe na thërret ta ndjekim atë dhe të përfitojmë nga ajo. Edhe shkenca e drejtë dhe e shëndoshë nuk e kundërshton fenë, por thërret ta ndjekim atë dhe të jetojmë me të. Ato çka duken të kundërta nuk janë feja dhe shkenca, por interpretimet fetare dhe interpretimet ose hipotezat e paargumentuara shkencore, pra pseudo-feja dhe pseudo-shkenca… Këtë, në do Zoti, ndonjëherë tjetër do ta trajtojmë më në hollësi.

Në rastin e krizave të ndryshme, siç është kjo e jona e pandemisë tani, si feja ashtu edhe shkenca, ofrojnë rrugët dhe mënyrat e daljes nga këto kriza. Një vrojtim më i kujdesshëm dhe më racional do të nxjerrë në pah se, edhe në këto momente, as feja e as shkenca nuk tentojnë ta zëvendësojnë njëra-tjetrën, e aq më pak ta përjashtojnë njëra-tjetrën. Të dyja e vënë veten në shërbim të njerëzimit, për shërimin dhe shpëtimin e tij. Andaj, këtu shihet ose do të duhej të shihej ai bashkëpunimi konstruktiv, i këndshëm, i frytshëm dhe i domosdoshëm i klerikëve dhe i shkencëtarëve, i hoxhallarëve e priftërinjve dhe, për shembull, i mjekëve, fizicienëve etj.

Për fat të keq, në raste luftërash e krizash, thuhet që, e para që humbet është e vërteta. Sigurinë që e ofron e vërteta në kushte normale, për arsye të ndryshme, zbehet në kushte krizash. Aty, në vend të së vërtetës, gjithnjë e më tepër, bëjnë vend çerek dhe gjysmë të vërtetat dhe të pavërtetat e plota. Frika, mungesa e sigurisë, mungesa e besueshmërisë, derti për vetveten, ndjenja e mbijetesës etj., të gjitha këto, besoj se ndikojnë në krijimin e një klime të pasigurt dhe të plasaritjeve brenda shoqërisë. Shto këtu edhe faktorin për përfitim material, gjendja bëhet akoma më e ndërlikuar dhe në fakt më e përshtatshme për lajme të rreme, të fabrikuara, të përshtatura sipas pritjeve të taboreve të ndryshme, dhe aspak e përshtatshme për informacion dhe dije të shëndosha. Këtu, zëri i teologut të mirëfilltë dhe i mjekut apo shkencëtarit të mirëfilltë dëgjohet shumë pak, nëse aspak. Këtu, interpretimet gjysmake, jo të shëndosha fetare shtrihen me shpejtësi, po ashtu edhe ato para-shkencore dhe anti-shkencore. Për shërimin e sëmundjeve dhe largimin e derteve, pseudo-klerikët sugjerojnë, jo rrallë herë edhe urdhërojnë duke kërcënuar, se besimi në Zot mjafton për të përzënë hallet, sëmundjet dhe shpirtat e ligë, se në rast të moslargimit të tyre eventual nënkuptohet mungesa ose dobësia e besimit në Zot dhe në të shenjtën; nga ana tjetër pseudo-shkencëtarët, të paaftë për ta pranuar realitetin dhe për të ofruar zgjidhje të qëndrueshme për to, sugjerojnë bojkotimin e shërbimeve mjekësore me pretekstin se gjithçka është e lidhur me fitimin e korporatave të mëdha, në rastin konkret të atyre për prodhimin e medikamenteve, se kriza është krijuar artificialisht, qëllimshëm, për të përfituar ata që edhe ashtu janë më të pasurit e rruzullit tokësor. Siç mund të shihet, teoritë konspirative, ato për kinse kurdisje të niveleve botërore kundrejt njerëzve të shtresave të ulëta, mbështeten fuqishëm si në emër të fesë (në fakt të pseudo-fesë) ashtu edhe në emër të shkencës sidomos të mjekësisë (në fakt të pseudo-shkencës). Është shumë interesante të shikosh se si njerëz kinse fetarë të devotshëm shkojnë dorë për dore me njerëz ateistë ndoshta, por që hiqen si të gjithëdijshëm, të gjithinformuar e ekspertë të thellë të çdo fushe. Shto këtu edhe mundësitë teknike që u ofrohen të dyja taboreve për t’i promovuar «argumentet» e tyre, siç janë mediat private që ngarendin pas numrit të shikueshmërisë e cila u sjell atyre përfitime financiare, pa çka se dëmtohet e vërteta dhe kohezioni shoqëror, si dhe rrjeteve sociale, të cilat edhe pse janë krijuar më tepër për argëtim, ato shfrytëzohen, pa kurfarrë kriteri shkencor edhe si burime të përhapjes së dijeve dhe pseudo-dijeve. Sharlatanët e të dyja fushave bëjnë emër e nam, për shkak të situatës së krizës, për shkak të rendit demokratik që ekziston se çdokush ka të drejtë të flasë atë që mendon – qoftë kjo edhe gabim, madje edhe jo e vërtetë, sepse ndalimi dhe censurimi i tyre mund të shkaktojë rritje të reputacionit të tyre dhe të njerëzve që shërbehen me to -, si dhe për pasojë për shkak të heshtjes së të mirëfilltëve dhe kompetentëve, të atyre që janë të thirrur për të folur dhe për të marrë vendime.

Po e konkretizoj edhe ca këtë çështje. Mua si hoxhë, si teolog, më pengon dhe më lëndon pa masë keqinterpretimi i fesë, e të mos flas për abuzimin me fenë për arsye të ulëta, madje dhe për arsye fetare. Më e trishtueshmja është abuzimi me fenë për ta paraqitur fenë e vet si më të mirën, më të vërtetën, më superioren në krahasim me fetë dhe jofetë e tjera. Besoj se të njëjtën brengë e ka edhe mjeku dhe shkencëtari i mirëfilltë ndaj sharlatanëve dhe kalemxhinjve të pseudo-shkencës.

Nuk mund të rri duarkryq dhe të mos them asgjë për rastin kur në Turqinë Lindore një grua e paskësh parë në ëndërr Muhammedin a.s. dhe ai i paskësh thënë kësaj gruaje se tani në rruzullin tokësor është paraqitur një sëmundje e rrezikshme dhe se shërimi për këtë është bima e quajtur «sumak» (Rhus). Ajo urdhërohet nga Pejgamberi a.s. në ëndërr që ta përhapë këtë «lajm» në mënyrë që njerëzit të gjejnë shifa, shërim, nga Corona. Pa i vënë në pikëpyetje vetitë shëruese të kësaj bime, habitem pse mjekët muslimanë turq dhe joturq nuk e morën këtë «recetë» nga ëndrra e kësaj gruaje dhe ta pengonin e shëronin këtë virus të tmerrshëm, e me këtë ta fitonin edhe primatin e prodhimit të një ilaçi efektiv?!

Nuk kaloi kohë, u shpërhap lajmi, madje edhe nga imamë shqiptarë, se në Irak qenkësh zbuluar vaksina kundër Coronës, në një vend ku njerëzit nuk janë të sigurt për jetën, e lëre më të kenë kohë të merren me hulumtime shkencore të këtij niveli dhe të këtyre përmasave. Doli të ishte edhe një flluskë tjetër e plasur.

Në Perëndim nuk munguan priftërinjtë të cilët pretendonin se uji i bekuar në kishë do t’i mbronte ata nga infektimi me këtë virus. Nuk kaloi kohë, të njëjtit u infektuan dhe i vuajtën gjatë pasojat e tij.

Në tokat shqiptare, një pastor anglez, në gjuhën shqipe, i sqaron dëmet për jetë të vaksinës nga ajo që ai pretendon të ketë lexuar nga burime të besueshme, por që janë mbyllur dhe heshtur nga censura shtetërore e mediale. Videot e tij tmerrmbjellëse i shpërndajnë shqipfolësit gjithandej duke menduar se ky është një autoritet mjekësor dhe duke mos e ditur, ose duke e futur në harresë, se pastori në fakt është një prift misionar.

Nuk mungoi as fetvaja që më ra në dorë në gjuhën gjermane, të lëshuar nga një këshill fetvash thuajse fiktiv nga Afrika e Jugut, e cila e ndalon jo vetëm vaksinën kundër Covid-19, porse edhe shumicën e vaksinave, duke pretenduar se në to fillimisht ka produkte derri, por edhe të tjera kimike të dëmshme. Kjo «fetva» qarkullon me të madhe nëpër rrjetet sociale. Ndërkaq pak rëndësi u jepen fetvave, madje shpërfillen si jo kredibile ato që i lëshojnë institucionet relevante të botës islame dhe të cilat i miratojnë të njëjtat.

Nga ana tjetër, nuk munguan as «ekspertët» dhe «analistët» e gjithçkaje me konstatimet e tyre se krejt kjo punë është një lojë e kurdisur, se qeveritë, ministritë e shëndetësisë bashkë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë janë bërë vegël e multimilionerëve të paktë në botë, se pas kësaj loje fshihet i ashtuquajturi «iluminati», se këta pastaj kanë lidhje të fshehta me hebrenjtë dhe Izraelin etj. Këto u pasuan së fundmi nga deklarata bombastike frikëndjellëse për «dëmet» e vaksinës, se ato janë shkak për sterilizimin e femrave, se shkaktojnë verbërimin e të vaksinuarve, se e prishin sistemin e ADN-së, se nëpërmjet tyre në trup na mbjellin mikro-çipa, se ato lënë pasoja të pariparueshme te të vaksinuarit, se me këtë madje mëtohet edhe tkurrja dhe reduktimi i popullsisë botërore, se nga krejt kjo përfitojnë kompanitë e mëdha botërore që kanë në dorë monopolin e gjithçkaje… Këta sharlatanë asnjëherë nuk na treguan se sa dhe nga kush paguhen për përhapjen e këtyre dezinformatave dhe kinse dijeve të argumentuara të tyre. Këta që, lëre që nuk zbuluan asgjë të dobishme për njerëzimin, por «duke e mbajtur gjithë ditën gishtin në hundë dhe gjithë natën duke e kruar shpinën» – siç u shpreh një i urtë i fshatit tim për tipat e këtillë – e dëmtojnë dhe e kontaminojnë trurin e njeriut ndoshta më keq dhe më rëndë se vetë virusi Corona.

Këtu, siç thashë më lart, më habit bashkëpunimi i pseudo-klerikëve me pseudo-shkencëtarët në krejt këtë mesele. Gjithçka e shohin si kurdisje kundrejt tyre nga forca të mëdha, që rezulton në mosbesim madje edhe në urrejtje ndaj shkencës dhe ndaj shkencëtarëve të mirëfilltë, të cilët me mish e me shpirt përpiqen të ofrojnë zgjidhje dhe të cilët me sinqeritetin më të madh flasin për përqindjen e sigurisë së vaksinave që i ofrojnë si dhe për efektet e përkohshme anësore që mund të paraqiten, mu si te çdo medikament tjetër. (Këtu radhiten edhe shkencëtarët të cilët shkencërisht janë kritikë për pika të caktuara të vaksinave, dhe kjo është krejt normale, ngase shkenca e humb dinamizmin dhe zhvillimin e vet nëse aty nuk ka vend mendimi kritik.) Kjo injorancë dhe ky besim në teoritë konspirative, që po përhapen gjithandej nëpër media, internet dhe rrjetet sociale, ta përkujtojnë thënien popullore: «Ujku ishte duke e ngrënë gomarin, ndërkaq gomari thoshte: inshallah jam në ëndërr!».

Tani dëshiroj të sjell në kujtesë edhe njëherë disa Fjalë të Zotit nga Kur’ani dhe disa porosi të Muhamedit a.s. që kanë të bëjnë me temën në fjalë. All-llahu xh.sh. në Kur’an thotë: «O ju besimtarë, përuljuni All-llahut dhe përuljni Pejgamberit si dhe atyre që drejtojnë punët tuaja (kompetentëve)…!» (en-Nisa’, 4:59); «Pyetini dijetarët në qoftë se ju nuk e dini!»(en-Nahl, 16:43); «A janë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë? Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.» (ez-Zumer, 39:9); «Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët…» (el-Isra’, 17:82). Ndërkaq Muhammedi a.s. ka thënë: «Allahu siç e ka krijuar sëmundjen, e ka krijuar edhe shërimin. Prandaj, kërkojeni shërimin e sëmundjeve tuaja!» (Ebu Davudi). Sa’d bin Ebi Vekkasi r.a. ishte sëmurë dhe Muhammedi a.s. shkoi ta vizitojë. Kur e pa të shtrirë në shtrat e urdhëroi: «Thirre Haris bin Keleden, sepse ai është një mjek i mirë, le të të trajtojë!» (Ebu Davudi) Për Harith bin Kelede ka mendime se nuk ka qenë musliman dhe kjo nuk ka qenë pengesë për Muhammedin a.s. që njerëzit e tij të kërkojnë trajtim shëndetësor nga një jomusliman. Ai po ashtu ka thënë: «Në qoftë se dëgjoni se në ndonjë vend është përhapur një sëmundje ngjitëse, mos shkoni atje! Në qoftë se ndodheni aty, mos dilni prej aty!» (Buhariu & Muslimi)

Siç mund të shihet, All-llahu xh.sh. kërkon prej nesh që, përveç mbështetjes së vazhdueshme në Gjithëfuqinë e Tij, për zgjidhjen e problemeve dhe për shërimin e sëmundjeve tona, të kërkojmë ndihmën e njerëzve që janë të kualifikuar për to, të mjekëve dhe të shkencëtarëve të mjekësisë. Muhammedi a.s. nga ana tjetër nuk dihet që ndonjëherë të ketë shprehur dyshim në vërtetësinë e sëmundjeve të ndryshme, ai thjesht ka kërkuar trajtimin e tyre nga njerëzit kompetentë si dhe përdorimin e metodave e teknikave shëruese që ishin të njohura në kohën e tij. Këtu le të përmendim se shumë bimë si fara e zezë, hurma axhva e bimë të tjera të njohura në atë kohë atje si dhe teknika e hixhames që praktikohej, sot nuk duhet të prezantohen si kinse mjekime të shenjta e hyjnore e me këtë edhe gjithëshëruese, porse si barëra e teknika të përdorshme në rezervuarin kulturor të kohës së Muhammedit a.s.

Në dritën e këtyre mësimeve fetare islame, dua të përfundoj me disa rekomandime që kanë të bëjnë me kohën tonë të pandemisë:

– gjithmonë mbështetu në Gjithëfuqinë shëruese të All-llahut xh.sh.,
– shtoje kujdesin për ruajtjen e pastërtisë e të higjienës së trupit,
– respektoji masat mbrojtëse të caktuara nga ana e mjekëve dhe e ministrisë së shëndetësisë, siç janë mbajtja e maskës, dezinfektimi i duarve, ruajtja e distancës…,
– në qoftë se ke rezerva dhe dyshime, konsultohu me mjekun amë dhe merre vaksinën kundër Covid-19,
– mos u beso dezinformatave, lajmeve të rrejshme, gjysmë të vërtetave si dhe teorive të konspiracionit,
– ruaje shëndetin tënd psikik, ndër të tjera edhe duke i kryer rregullisht ibadetet, ritualet fetare…

Krejt në fund e lus All-llahun Fuqiplotë që sa më parë ta largojë këtë bela dhe të na vetëdijesojë për masat që duhen ndërmarrë për tejkalimin e saj. Amin!

Rejhan Neziri
Kreuzlingen, 26 gusht 2021