Gati dy muaj pas bllokadës së plotë izraelite që pengon hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza, territori po përballet me uri të përhapur, ka deklaruar zëdhënësja e UNRWA-së, Juliette Touma.
Sipas saj, kjo është një nga periudhat më të gjata të izolimit që nga fillimi i luftës. Ajo kujtoi se në fillim të konfliktit kishte një bllokadë dyjavore, ndërsa tani situata është katërfish më e rëndë, me një izolim që ka zgjatur gati dy muaj pa ndërprerje.
Touma theksoi se situata humanitare është përkeqësuar ndjeshëm. Fëmijët në Gaza shkojnë në shtrat pa ngrënë, ndërsa të sëmurët nuk kanë qasje në trajtim shëndetësor për shkak të mungesës së furnizimeve në spitale dhe klinika, përfshirë ato të UNRWA-së.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur organizatat ndërkombëtare po paralajmërojnë për një krizë humanitare në përmasa të paprecedenta në Rripin e Gazës.








