
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka zhvilluar bisedime telefonike me homologët e tij nga Katari, Jordania dhe Arabia Saudite lidhur me zhvillimet rreth planit të paqes për Gazën.
Sipas burimeve diplomatike turke, Fidan ka diskutuar planin me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, si dhe me ministrin e Jashtëm të Jordanisë, Ayman Safadi, dhe homologun saudit, princin Faisal bin Farhan. Bisedimet u përqendruan në çështjet që lidhen me zbatimin e planit.
Një javë më parë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi planin amerikan për të ardhmen e Gazës, megjithëse koha dhe mënyra e zbatimit mbeten të paqarta pas shkatërrimeve të mëdha të shkaktuara nga lufta izraelite dyvjeçare.
Sipas planit, një organ ndërkombëtar i quajtur “Bordi i Paqes”, i kryesuar nga presidenti amerikan Donald Trump, do të qeverisë Gazën dhe do të mbikëqyrë rindërtimin nën një mandat dyvjeçar të OKB-së. Siguria do të sigurohet nga një forcë ndërkombëtare, ndërsa çarmatimi i Hamasit parashihet si kusht kryesor.
Plani është kritikuar pasi u jep palestinezëve shumë pak rol në qeverisjen e Gazës dhe nuk garanton qartë shtetësinë palestineze, duke lënë të paqartë edhe afatet për rindërtim dhe tërheqjen e ushtrisë izraelite. /mesazhi





