Ford Mustang 2024 arrin në tregjet evropiane

Ford Mustang është shpallur vetura sportive më e shitur në botë, kështu që nuk është për t’u habitur se një version i ridizajnuar i tij ka mbërritur në Evropë.

I disponueshëm si coupe, modeli i ri vjen me fenerë të hollë LED dhe në tre nuanca të reja, Blue Ember, Vapor Blue, dhe Yellow Splash.

Pjesa e brendshme e tij përmban një grup instrumentesh dixhitale si dhe një sistem info-argëtimi me lidhje 5G, i aftë për të transmetuar muzikë dhe për të treguar informata rreth trafikut në kohë reale.

Konsumatorët që kërkojnë më shumë fuqi mund të zgjedhin Mustang GT Dark Horse i cili përmban një motor V8 5.0 litërsh, dhe mund të lidhet me transmision manual ose automatik me dhjetë shpejtësi.

Gjithashtu, modeli i ri ka edhe një sërë sistemesh të asistencës së shoferit, ku përfshihen edhe kontrolli inteligjent i lëvizjes, kontrolli i korsisë, dhe asistent shmangieje.

Mustang GT i ridizajnuar është aktualisht i disponueshëm në tregjet evropiane, por çmimi i tij dallon nga vendi në vend.

Në Gjermani çmimi për një Mustang GT fillon nga 59 mijë euro, ndërsa në Australi nga 86 mijë euro.