Franca planifikon ta ngrejë moshën e pensionimit në 64 vjet

Qeveria e Francës ka propozuar të ngrejë moshën e pensionimit nga 62 në 64 vjet. Planifikohet që kjo të realizohet deri në vitin 2030, gjë që paraqet një reformë të madhe në sistemin pensional, raporton BBC.

Kryeministrja e Francës, Elisabeth Borne, ka thënë se ndryshimet janë të nevojshme për të parandaluar në të ardhmen një deficit të madh në sistem.

Reformimi i pensioneve ishte një nga premtimet kryesore të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kur fitoi mandatin e parë në vitin 2017.

Por, detajet menjëherë nxitën një reagim të ashpër nga sindikatat, ndërsa janë planifikuar greva më 19 janar.

Borne ka njoftuar për propozimet në konferencë për media. Ajo ka thënë se reforma do të jetë graduale, por e ka pranuar se “do të shkaktojë frikë dhe pyetje në mesin e francezëve”.

Në një sondazh të bërë së fundi, thuhet se 80 për qind e popullatës janë kundër që të ngrihet në 64 vjet mosha e pensionimit.

Mosha e pensionimit do të ngrihet gradualisht për tre muaj në vit, duke filluar nga shtatori. Deri në vitin 2027, mosha e pensionimit do të arrijë në 63 vjet e 3 muaj, ndërsa synimi është që deri në vitin 2023 të arrihet në 64 vjet.

Një pension i plotë nga viti 2027 do të kërkojë 43 vjet stazh pune, në vend të 42 vjetëve sa është aktualisht.

Pensionimi i garantuar nuk do të jetë më i ulët sesa 85 për qind e pagës minimale neto. Aktualisht shifra është afro 1200 në muaj.

Policët, gardianët e burgjeve, kontrollorët e trafikut ajror dhe punonjës tjerë në sektorin publik që mbajnë vende pune që shihen fizikisht apo mentalisht shumë të rënda, do ta kenë të drejtën të pensionohen më herët. /koha