Ballina Sport Futboll Futbolli anglez ndalon sërish për iftar gjatë Ramazanit

Futbolli anglez ndalon sërish për iftar gjatë Ramazanit

Liga më e fortë e Anglisë, Premier League, dhe English Football League do të vazhdojnë edhe këtë vit praktikën e ndërprerjeve të shkurtra gjatë ndeshjeve për t’u dhënë mundësi lojtarëve muslimanë të prishin agjërimin e Ramazanit.

Ramazani nisi këtë javë dhe zgjat një muaj. Gjatë kësaj periudhe, besimtarët muslimanë agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, duke mos konsumuar ushqim apo pije.

Në Mbretërinë e Bashkuar, perëndimi i diellit gjatë kësaj kohe bie mes orës 17:00 dhe 19:00. Për këtë arsye, ndeshjet që mund të përfshijnë një pauzë të shkurtër janë ato të së shtunës që fillojnë në orën 17:30 dhe të së dielës në orën 16:30.

Si në vitet e kaluara, kapitenët e skuadrave dhe gjyqtarët do të bien dakord paraprakisht për një moment të përshtatshëm për ndalesë. Loja nuk do të ndërpritet në mes të aksionit, por në rastin e parë të volitshëm, si goditje këndi, goditje dënimi apo rivënie anësore. Kjo pauzë nuk do të shfrytëzohet si pushim taktik apo për freskim të përgjithshëm të ekipit.

Kjo praktikë u aplikua për herë të parë në vitin 2021, gjatë një ndeshjeje mes Leicester City dhe Crystal Palace. Loja u ndal për pak minuta për t’u dhënë mundësi lojtarëve Wesley Fofana dhe Cheikhou Kouyaté të konsumonin lëngje dhe suplemente energjie.

Në mesin e futbollistëve muslimanë që luajnë aktualisht në Premier League janë Mohamed Salah, William Saliba, Rayan Ait-Nouri dhe Amad Diallo.

Everton players break their fast during a Premier League match against Newcastle in 2024

Ish-mesfushori i Everton, Abdoulaye Doucoure, kishte deklaruar më herët se në Premier League respektohet plotësisht besimi fetar i lojtarëve.

Ndërkohë, në vitin 2022, ish-sulmuesi i Liverpool, Sadio Mane, bëri të ditur se klubi kishte përshtatur oraret e stërvitjes për të mbështetur lojtarët myslimanë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. /mesazhi