Gani Sejdiu emërohet trajner i Drenicës

Sot në ambientet e klubit në praninë e kryetares së klubit, Mihane Kodra – Bekteshi, është zyrtarizuar Gani Sejdiu, si trajner i Drenicës.

“Ish trajneri i shumë skuadrave kosovare si: KF Trepça ‘89, KF Renova (Maqedoni e Veriut), KF Vushtrria, KF Trepça, KF Feronikeli, FC Besa, KF Vëllaznimit dhe KF Ballkani, tashmë do të udhëheq skuadrën tonë deri në përfundim të këtij stinori, me mundësi vazhdimi”, thuhet në njoftim, transmeton Koha.net.

Sipas një postimi në Facebook nga faqja e ekipit “Drenica” thuhet se trajneri mitrovicas, do të fillojë pas pak ditësh punën me ekipin, në mënyre që skuadra të përgatitet sa më mirë për stinorin pranveror.

Ndërkohë shumë shpejt do të kompletohet edhe shtabi teknik.

“Trofetë e fituar nga Gani Sejdiu në skuadrat tjera: Trepça (Titulli kampion – Superkupa). Feronikeli (titulli kampion, kupa, superkupa dhe kupa mbarëkombëtare). KF Besa (Kupa). Shpresojmë që edhe KF Drenica të ketë suksese nën udhëheqjen e Gani Sejdiut dhe klubi të arrij objektivat e tij”, thuhet tutje në njoftim.