Gjashtë ekipe në La Liga rrezikojnë rënien

Gjashtë ekipe të La Ligas janë në rrezik për të rënë nga liga në ditën e fundit të kampionatit në elitën e futbollit spanjoll.

Vetëm njëra prej tyre do t’u bashkohet Espanyolit dhe Elches për të kompletuar treshen e skuadrave që do të largohen nga La Liga.

Real Valladolidi është në vendin e 18-të me 39 pikë. Ka një pikë më pak se Celta Vigo dhe Almeria, ndërsa Valencia, Getafe dhe Cadizi kanë nga 41 pikë dhe duhet të djersiten shumë për t’i shpëtuar rënies.

Të gjitha gjashtë ekipet e kanë parasysh se fitorja të dielën do t’ua siguronte qëndrimin në elitë.

Valladolidi luan në shtëpi kundër Getafes, Celta Vigo e pret Barcelonën, Almeria udhëton tek Espanyoli, Valencia është mysafire e Real Betisit, kurse Cadizi luan në udhëtim tek Elche.

Të gjitha këto ndeshje luhen nga ora 21:00, ndërsa orari i pesë ndeshjeve të tjera është vendosur prej orës 18:30.

Real Madridi e pret Athletic Bilbaon, por lufta për titull dhe për pozitat që dërgojnë në Ligën e Kampionëve, tashmë ka përfunduar. Barcelona kampione, Real Madridi, Atletico Madridi dhe Real Sociedadi, do të luajnë në “Champions”.

Villarreali dhe Real Betisi kanë siguruar fazën grupore të Ligës së Evropës, ndërsa Osasuna në vendin e shtatë, të fundit që dërgon në kualifikime të Ligës së Konferencës ka 50 pikë, sa ka edhe Bilbao. Girona, Rayo Vallencao dhe Sevilla kanë nga 49 pikë dhe luftojnë për atë pozitë. Në fakt, Sevilla do të paraqitet në Ligën e Kampionëve pas triumfit në Ligën e Evropës.

Nëse skuadrat mbyllin kampionatin me pikë të njëjta në fund të sezonit, ndeshjet e ndërsjella do të vendosin renditjen përfundimtare.