Gjermania presion Beogradit: Më shumë angazhim në shtensionim

Gjermania të mërkurën e quajti tërheqjen e trupave të Serbisë nga kufiri me Kosovën një “hap të rëndësishëm”, por i kërkoi Beogradit të bëjë më shumë për të ulur tensionet me fqinjin e tij.
Duke folur për mediat në Berlin, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane Kathrin Deschauer tha se situata në rajon është “mjaft shqetësuese” në vazhdën e raundit të fundit të dhunës vdekjeprurëse në veri të Kosovës.

“Serbia e ka për obligim që pa mëdyshje të bëjë thirrje për heqjen dorë nga dhuna. Në përgjithësi, situata është sigurisht e tensionuar. Shenjat e para të reduktimit të trupave serbe janë një hap i rëndësishëm drejt de-përshkallëzimit. Megjithatë, ne duam të theksojmë sërish se tani duhet të ndërmerren hapa të mëtejshëm drejt de-përshkallëzimit”, tha ajo, raporton AA.

Serbia thuhet se ka filluar të zvogëlojë grumbullimin e saj ushtarak përgjatë kufirit me Kosovën gjatë ditëve të fundit.

Sipas Deschauer, ministrja e Jashtme Annalena Baerbock planifikon të udhëtojë në Shqipëri këtë të enjte për bisedime me ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Baerbock do të zhvillojë gjithashtu bisedime me homologët e saj kosovarë dhe serbë në margjinat e takimit si pjesë e të ashtuquajturit Procesi i Berlinit, i cili synon të promovojë afrimin mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.