Gjithçka, përveç njohjes!

Daut Dauti

Me pak përjashtime, pozicioni serb është ai që sublimohet në modelin që Kosova ka pasur në ish-Jugosllavi, para se Millosheviqi të suprimonte autonominë: të drejta maksimale, autonomi maksimale për zhvillimin e politikave, por vetëm pavarësi jo…

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Udhëkryqi në të cilin u gjet Kosova në momentin e tashëm duket sikur e ka kthyer prapa ose e ka lënë vërtet në udhëkryq, pa ditur nga të ecë. Sepse, kjo ecje nuk varet vetëm nga vullneti i Kosovës. Për më keq, gjithçka duket si një vullnet i dyanshëm për status-quo. Serbisë i përgjigjet t’u ikë presioneve ndërkombëtare për njohjen e pavarësisë, prej së cilës ikë si djalli prej temjani, ndërsa Kosovës që të ikë nga “kompromiset e dhimbshme”.

Nëse bëjmë një rezyme se çfarë ka pasur në tavolinë deri sot, shohim një varg opsionesh: Kosova vetë ka insistuar në pranimin e realitetit të ri, pra, të pavarësisë, ndërkaq Serbia ka pasur një varg “modelesh” të preferuara, vetëm pavarësi jo. Për këto dy e më shumë dekada prej luftës, e tridhjetë e ca prej vendimeve të kosovarëve për pavarësi, lloj-lloj opsionesh të preferuara kanë qenë në lojë: që nga autonomia e zgjeruar, modeli i Hong-Kongut, e deri te ndarja, si një opsion serb “e humbur se e humbur Kosova, të paktën diçka të marrim”.

Serbia, me gjithë qëllimet e veta, pothuajse unike, pavarësisht forcave politike (me dy-tri përjashtime), e ka përjashtuar opsionin e njohjes së Kosovës, porse në anën tjetër, janë ulur në tavolinë bisedimesh për të treguar “gatishmëri” dhe “konstruktivitet” në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, sikur duan një zgjidhje. Kuptohet, në procesin e gjatë dhe të rëndë ata nuk janë larguar nga qëllimi për ta ruajtur Kosovën, ashtu siç e kanë në kushtetutë, si pjesë të Serbisë. Në këto vite, kuptohet, Kosovën e kanë përdorur edhe për nevojat ditore politike, varësisht kush ka qenë pushtet e kush opozitë, por gjithnjë atë në pushtet e kanë akuzuar se po bën kompromise që i dëmtojnë interesat serbe, se do ta japin e kështu me radhë. Me gjithë imazhin e tyre, demokratik a autokratik, gjërat vetëm i kanë zvarritur, ndërkaq para tre vjetësh kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiq qe lëvduar se prej të gjithëve, vetëm ai, dhe dy paraardhës të tij, Dobrica Qosiq dhe Zoran Xhinxhiq, janë ata që kanë pasur “ndonjë plan për zgjidhjen e problemit të Kosovës”. Sipas tij, Dobrica Qosiqit i ka rënë ndër mend diçka, por e kanë prerë në start, njësoj edhe me Xhinxhiqin. Vuçiqi është ai që, si duket, edhe gjatë kohë do të jetë personaliteti nga i cili varet shumëçka.

Me gjithë këtë pohim të Vuçiqit, e vërteta nuk është e plotë, sepse Mitar Samarxhiqi, njëri nga anëtarët e delegacionit serb në vitin 2006, i pat thënë BBC-së se delegacioni serb atëherë ka dalë me një plan për realizimin e një autonomie substanciale sipas modelit të Hong-Kongut, me ingerenca maksimale, përveç në fushën e politikës së jashtme, politikës monetare dhe të drejtave të njeriut.

Planet serbe

Normalisht, plani i Ahtisarit për pavarësi të mbikëqyrur deri tash për palën serbe ka qenë i papranueshëm, ndaj dhe procesi nuk është mbyllur. Plani prej të cilit ikin të gjithë për t’ia pranuar autorësinë, ai i ndarjes dhe këmbimit të territoreve, duhet të jetë i Vuçiqit, por që nuk u realizua pas rezistencës së fortë të bashkësisë ndërkombëtare dhe asaj kosovare. Këmbimi territoresh me marrëveshje dy-palëshe mund të ketë qenë një shans i mirë, por që nuk mundi të vijë në shprehje për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe presioneve pseudopatriotike shqiptare. Ndoshta me një këmbim territoresh, njohja do të kishte ndodhur kaherë. Sa i përket planit të Dobrica Qosiqit, që e përmend Vuçiqi, ai është i vjetër, por i ngjashëm me këtë që deshi ta bënte vetë. Që në vitet e ‘60-ta Qosiqi është angazhuar për ndarjen e Kosovën në pjesë shqiptare dhe pjesë serbe. Nga këndvështrimi i ngjarjeve të mëvonshme, fjalët e tij në një konferencë të KQ të LKJ-së që në vitin 1968, kanë qenë vizionare, duke parashikuar pasoja të rënda e konflikte tragjike nëse nuk do të bëhej një ndarje e tillë. Në anën tjetër, Xhinxhiqi i ndjerë ka pasur të paktën tri opsione që ua ka propozuar ndërkombëtarëve: i pari – federalizimi asimetrik i Serbisë, ku shqiptarët do të hynin në Serbi si njësia e federatës kroato-boshnjake në BeH; opsioni i dytë – modeli i ndarjes së Qipros, ku serbët do ta organizonin jetën e tyre në veri të Kosovës dhe opsioni i tretë – ndryshim kufijsh me marrëveshje, ashtu shqiptarët do ta merrnin pjesën e tyre, ndërsa serbët të veten. Pra, Vuçiqi ka pasur të mësojë ose kopjojë pikërisht një pjesë të ideve të Qosiqit e Xhinxhiqit.

Njohje – assesi!

Filozofinë politike serbe, ndoshta më së miri, e përshkruan deklarata e Dragan Gjillasit, opozitarit kryesor serb: “Jemi të gatshëm gjithçka të japim, vetëm pavarësi jo”. Ai nuk vjen nga qarqet nacionaliste, por ç’e dallon atë prej tyre nëse mendon njësoj si Vuçiqi dhe të tjerët që mendojnë se Kosova nuk duhet “të jepet”?

Dhe, këto “modele” serbe vazhdojnë të jenë pjesë e “ofertës” në tavolinë. Edhe pse ato nuk do të pranohen nga pala kosovare, kjo nuk e pengon palën serbe që t’i mbajë hapur, sepse kështu zvarritet procesi pa fund, e që i shkon përshtati. Pala serbe do të vazhdojë ta përjashtojë mundësinë e njohjes, duke ofruar solucione si “normalizim”marrëdhëniesh midis dy palëve, por duke i parë dhe prezantuar ato si çështje raportesh midis dy subjekteve brenda një shteti. Këtë model, ndoshta më së miri, e pasqyrojnë fjalët e njërit nga eksponentët më të njohur të shoqërisë civile, Dragan Janjiq, i cili njihet për qasjen më fleksibile ndaj çështjes së Kosovës. Ai mendon se për një “marrëveshje gjithëpërfshirëse” nuk është e domosdoshme njohja reciproke! Në të vërtetë, qëndrimi i tij duket të jetë “njohje realiteti, pa njohje formale”, që nëse do të mundohemi ta interpretojmë, do të thotë që pushtetarëve të Serbisë të mos u mbetet barra e ndonjë tradhtie kombëtare, por gjithsesi, në anën tjetër, të pranojnë faktin e kryer.

“Për marrëveshjen gjithëpërfshirëse është njohja e ekzistencës juridike, jo të ‘të ashtuquajturës Serbi’ apo ‘të ashtuquajturës Kosovë’ ose ‘shtetit të rrejshëm’, por pikërisht ashtu si Vuçiqi dhe Hoti kanë nënshkruar në Uashington – se bëhet fjalë për negociata të përfaqësuesve të ‘Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës’. Kjo do të thotë e ashtuquajtura njohje faktike e ekzistimit, por jo dhe njohje e plotë e kapacitetit ndërkombëtar”, mendon kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Janjiq. Sipas tij, mund të thuhet se që nga marrëveshja e Brukselit, Kosova ka përparuar dhe se formalisht e ka vendosur sovranitetin në gjithë territorin, në aspektin e sigurisë po ashtu, me përjashtime, që nuk janë legalizuar, në pjesët me popullatë serbe dhe organet paralele. Janjiqi e sqaron edhe një grackë terminologjike që shpesh përdoret në Kosovë, që është paksa jashtë realitetit – “njohja reciproke”. Ai me të drejtë vë në dukje se Serbisë nuk i duhet njohja nga Kosova, kur dihet se është njohur që pas Kongresit të Berlinit, por njohja nga Serbia i duhet Kosovës. Dhe, që të arrihet kjo, nevojitet një kompromis, që sipas tij do të ishte një lloj autonomie e lartë për serbët në veri të Kosovës.

Në shoqërinë serbe janë të paktë ata politikanë, si Dragisha Jovanoviqi ose Nenad Çanaku, të cilët nuk kanë problem ta pranojnë se Kosova de fakto është shtet i pavarur. “Sa e kuptoj unë politikën, Kosova është e pavarur, sepse i ka të gjitha prerogativat e një shteti – monopolin mbi pushtetin, legjislaturën, territorin dhe qeverinë.”, thotë Çanaku.

Por, në shoqërinë serbe, populizmi i kohëve të shkuara ende i mban gjallë shpresat për rikthimin e Kosovës. Mbahet mend Vojisllav Shesheli kur para disa vitesh, si kandidat për president, kishte thënë se do ta arrestojë gjithë qeverinë e Serbisë nëse e njohin Kosovën. Atëherë ai kishte parë shenja te kryeministri Vuçiq se mund të bënte diçka të tillë. Por, këso “shenjash” sot te Vuçiqi lexojnë “midis rreshtash” opozitarët serbë, të cilët mendojnë se me deklaratat për presionet ndërkombëtare, Vuçiqi e përgatit opinionin për njohje.

Mos të harrojmë se pas deklaratave shpesh fshihet edhe strategjia e zvarritjes. Në këtë moment edhe në Serbi dominon mendimi se dy pushtetarët më të fuqishëm të këtyre vendeve, Vuçiqi dhe Kurti, pra që të dytë, “duan status quo”. Për Albin Kurtin pengesa gjithsesi paraqesin premtimet se dialogut do t’i qaset jo si deri tash në “mënyrën e gabuar” të qeverive paraprake, por që me “pengesat në komunikim” me Vuçiqin, praktikisht as ai nuk ka ndonjë formulë magjike. Për Vuçiqin, këto pengesa në komunikim janë më se të mirëseardhura, sepse në dritën e ashpërsimit të situatës ndërkombëtare paraqet një inkurajim për shpresat serbe se me një Rusi të fortë aleate, kthimi i Kosovës duhet të ndodhë herëdokurdo sipas “modeleve” që tashmë po i provon Rusia që nga Gjeorgjia e gjer te Ukraina. Me forcë, kuptohet. Mos të harrojmë se në linjën e Sheshelit, por dhe pjesës dërmuese të politikës serbe, që assesi të mos njihet Kosova, frymëzuesja më e madhe është Kisha Ortodokse Serbe, e cila te Vuçiqi shikon shpëtimtari e dërguar nga Qielli për ta shpëtuar qenien “e rrezikuar” serbe në “djepin e Serbisë”. /shenja