Gjuriq mbërrin në veri, i jep forcë propagandës për “katastrofën humanitare”

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.

Ai tashmë ka arritur në Zubin Potok ku është duke mbajtur një fjalim para të pranishmëve, shkruan lajmi.net.

Aty janë edhe përfaqësues nga Lista Serbe, si dhe kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq.

Mediat lokale atje kanë raportuar se Gjuriq është pritur me duartrokitje nga njerëzit aty.

Në bazë të asaj që raportohet, afër 100 persona janë mbledhur në vendin  ku Gjuriq është duke mbajtur fjalim.

Në Zubin Potok, situata është duke u monitoruar nga afër nga Policia e Kosovës dhe KFOR-i.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se Gjuriq do të jetë gjatë gjithë kohës në përcjellje.

Po ashtu, nga ministria e Punëve të Jashtme kanë paralajmëruar, se nëse Gjuriq nuk i përmbahet agjendës së përcaktuar nga leja e dhënë, ai mund të arrestohet.