Google dhuron 25 milionë euro për të luftuar lajmet e rreme

Kompanitë e teknologjisë janë nën presion të fuqishëm nga ana e shteteve, për të bërë më shumë në luftën kundër dezinformimit në internet.

Kompania Google, që është në pronësi të Alphabet Inc, është zotuar se do të ndajë 25 milionë euro si kontribut për një fond të ri evropian që synon luftimin e “lajmeve të rreme” dhe mbështetjen e kontrollit të fakteve.

Kompanitë e teknologjisë janë nën presion të fuqishëm nga ana e shteteve, për të bërë më shumë në luftën kundër dezinformimit në internet.

“Pasiguria dhe sfidat e vitit të kaluar (2020) kanë dëshmuar se është më e rëndësishme se kurrë për njerëzit që të kenë informacion të saktë dhe të jenë në gjendje të klasifikojnë faktet nga trillimet”, tha Matt Brittin, shef i kompanisë Google për Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

Një rritje e shkallës së dezinfomimit u shënua gjatë pandemisë dhe zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar në SHBA. Platformat e mediave sociale u kritikuan se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të trajtuar këtë çështje. Rregullatorët kanë paralajmëruar se mund të marrin masa ndaj tyre. Fushatat e dezinformimit kanë shënjestruar edhe zgjedhjet në gjitha anët e botës.

Qëllimi i këtij fondi evropian është mbështetja e bashkëpunimit në përpjekjet për të luftuar dezinformimin, pastaj të ndihmojë në kontrollimin e fakteve dhe të zbulojë mundësi kreative për të forcuar qëndrueshmërinë e përballjes me dezinformimin.