Greqi, katër emigrantë humbin jetën pranë ishullit Kios

Të paktën katër persona e kanë humbur jetën pasi një gomone në të cilën ndodheshin u fundos pranë ishullit grek Kios, transmeton Anadolu Agency (AA).

Raportohet se tre fëmijë dhe një grua kanë humbur jetën pasi mjeti i tyre u përmbys në Detin Egje, pranë ishullit Kios.

Në zonë raportohen erëra të forta që arrijnë deri në rreth 50 kilometra në orë.

Sipas Rojës bregdetare greke, anija me 27 emigrantë afrikanë u përmbys në orët e para të së martës. Deri më tani janë shpëtuar 20 persona.

Një operacion i madh i kërkim-shpëtimit është duke u zhvilluar në zonë me dy varka patrullimi të Rojës Bregdetare, dy helikopterë, një anije të NATO-s, tre anije peshkimi dhe tre anije që lundrojnë në afërsi e që ndihmojnë kërkimin. /aa