Greqi, studentët konfliktohen me policinë

Në Greqi përjetohen konflikte mes policisë dhe studentëve që protestuan kundër reformave në sistemin arsimor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, qindra studentë u mblodhën për të protestuar ndaj reformave arsimore që përfshijnë heqjen e imunitetit në universitete dhe përjashtimin e studentëve që nuk arrijnë të diplomohen brenda një periudhe kohe të caktuar.

Studentët marshuan drejt sheshit Sintagma ku ndodhet edhe parlamenti duke brohoritur me sloganet “Mos prekni universitetet”, “Imuniteti është një e drejtë e fituar, nuk mund të ndryshohet”.

Forcat policore që kishin marrë masa intensive sigurie përpara ndërtesës së parlamentit ndërhynë me gaz lotsjellës dhe bomba zëri ndaj studentëve që i sulmuan me gurë dhe shkopinj.

Rrugët kryesore në kryeqytet u mbyllën për një kohë për trafikun për shkak të protestës e cila zgjati rreth dy orë.