Guardiola trajneri më i paguar në botë

As Mourinho, as Zidane, as Conte… Pep Guardiola do të jetë trajneri më i paguar në botë.

“Mirror” ka zbuluar kontratën e re, të ofruar nga Manchester City për trajnerin spanjoll. Gjithçka u organizua disa javë më parë, gjatë një udhëtimi të ekipit në Abu Dhabi, ku u fol për një rinovim me shifra të larta të ish-teknikut të Barcelonës dhe Bayern Munich.

Pep do të nënshkruajë me “qytetarët” edhe për të paktën një sezon tjetër mbi kontratën aktuale (deri më 2020) dhe do të marrë 23 milionë euro (20 milionë paund).

Ky është sezoni i dytë i Guardiolës në komandën e ekipit anglez. Ai arriti në verën e vitit 2016 në “Etihad”, pas aventurës në Bundesliga, në drejtimin e Bayern Munich.

Në vitin e parë me “qytetarët” nuk fitoi asnjë titull, megjithatë, tani është gati për të pushtuar Premier League.

Fundjavën që kaloi ishte Manchester United, që e privoi nga festa e titullit, pasi Guardiola u “plagos” para rivalit të madh të të njëjtit qytet, në “Etihad”.