Brenda strategjisë izraelite për zbrazjen e tokave nga të zotët dhe vendosjen aty të kolonëve hebrenj
Një artikull i publikuar së fundmi nga gazeta izraelite Haaretz pasqyron një realitet të zymtë dhe në ndryshim të shpejtë në Bregun Perëndimor, për shkak të dëbimit të përshpejtuar të palestinezëve. Përmes një turi ditor të organizuar nga lëvizja Peace Now, gazetari Moshe Gilad dëshmoi drejtpërdrejt atë që aktivistët e quajnë “spastrimin etnik më të dokumentuar në histori”, i cili po ndodh nën dritën e diellit dhe me ngjyra, ndryshe nga imazhet bardhezi të Nakbës së vitit 1948.
Realiteti i dhimbshëm në Ras Ein al-Auja
Skenat më rrëqethëse të reportazhit janë vendosur në Ras Ein al-Auja, në veri të Jerikos. Aty, familje të tëra palestineze po paketojnë plaçkat e tyre të pakta mbi kamionë, të detyruar të braktisin shtëpitë për shkak të terrorit të përditshëm.
Fëmijë dhe burra që shembin muret e shtëpive të tyre për të marrë me vete çka munden, tregojnë për një dëshpërim total. Arsyeja e largimit nuk është vetëm dhuna fizike, por edhe bllokada ekonomike. Kolonët e rinj u bllokojnë rrugët e kullotës, duke i detyruar blegtorët palestinezë të falimentojnë.
Strategjia e “fermave të izoluara”
Një pikë kyçe e artikullit është ndryshimi i metodologjisë së pushtimit. Nuk bëhet fjalë më vetëm për ndërtimin e qyteteve të mëdha, por për ngritjen e fermave të vogla me vetëm një ose dy familje kolonësh. Këto pika të paautorizuara marrin në kontroll sipërfaqe gjigante toke (mijëra hektarë) përmes kullotjes së dhenve, duke krijuar një rrjet kontrolli që fragmenton tërësisht territorin palestinez. Aktualisht, numërohen rreth 147 vendbanime zyrtare dhe 191 pika të paautorizuara, ku jetojnë afro 478.000 kolonë përballë 2.8 milionë palestinezëve.
Sistemi i Aparteidit me mbështetjen e qeverisë izraelite
Artikulli nxjerr në pah rolin e Administratës së Vendbanimeve, të udhëhequr nga Bezalel Smotrich, e cila ka lehtësuar ndërtimin e rrugëve që ndajnë trafikun izraelit nga ai palestinez. Termi “rrugë të aparteidit”, nuk është më thjesht një metaforë, por një realitet fizik ku palestinezët detyrohen të bëjnë rrugë të gjata e të vështira, ndërsa kolonët gëzojnë infrastrukturë moderne.
Një dhunë e organizuar
Amir Pansky, një aktivist në terren, denoncon faktin se kjo dhunë nuk është sporadike, por një “ushtri të miturish” dhe kolonësh që veprojnë me plan të mirëfilltë, shpesh nën mbrojtjen ose indiferencën e ushtrisë izraelite (IDF). Që nga 7 tetori, numri i krimeve të kolonëve ndaj palestinezëve ka pësuar një rritje alarmante, duke arritur në mbi 1.700 incidente. /tesheshi


