Si sot, më 12 korrik 1952, u nda nga jeta Hafiz Ibrahim Dalliu (1878–1952).
Hafiz Ibrahim Dalliu lindi në Tiranë më 1878. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në qytetin e lindjes, ndërsa studimet e larta për teologji i përfundoi në Stamboll.
Ai ishte ndër personalitetet më të shquara të Tiranës dhe të Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX. Dijetar, hafiz, patriot, mësues, shkrimtar dhe klerik, ia kushtoi jetën shërbimit të fesë, arsimit, gjuhës shqipe dhe çështjes kombëtare.
Në vitet e fundit të Perandorisë Osmane u angazhua aktivisht në përhapjen e gjuhës shqipe. Ishte anëtar i klubit patriotik “Bashkimi” të Tiranës, themeluar më 1908, dhe po atë vit kontribuoi në hapjen e shkollës së vajzave në qytet. Në Kongresin e Elbasanit (1909) mori pjesë si delegat i Tiranës, ndërsa më pas shërbeu si mësues në Shkollën Normale të Elbasanit.
Në vitin 1912 ishte ndër organizatorët e ceremonisë së Shpalljes së Pavarësisë në Tiranë. Më 1920 mori pjesë si delegat i Tiranës në Kongresin e Lushnjës. Deri në vitin 1924 ishte aktiv edhe në jetën politike të vendit, ndërsa më pas iu përkushtua kryesisht studimeve teologjike dhe veprimtarisë letrare.
Pas vendosjes së regjimit komunist, megjithëse ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, u arrestua dhe u dënua me burg për shkak të bindjeve dhe qëndrimeve të tij. Vuajtjet e burgut e rënduan gjendjen e tij shëndetësore dhe ai ndërroi jetë më 12 korrik 1952, në moshën 73-vjeçare. Duhet theksuar se disa burime japin si datë të vdekjes 25 maj 1952, çështje që mbetet e paunifikuar në historiografi.
Emri dhe vepra e Hafiz Ibrahim Dalliut mbeten pjesë e çmuar e historisë së Tiranës dhe të kombit shqiptar. Ai do të kujtohet gjithmonë si një dijetar i ndritur, një atdhetar i përkushtuar dhe një personalitet që i shërbeu me devotshmëri fesë, dijes dhe Shqipërisë.
Hoxhë Halil Avdulli








