Hajradinaj paralajmëron rishikimin e demarkacionit me Malin e Zi

Kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar se së shpejti komisionet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Malit të Zi do të rishikojnë demarkacionin në drejtim të Kullës dhe Çakorrit.

Ai tha se për këtë ka rënë dakord me homologun e tij malazez, Dusko Markoviq, njofton Klan Kosova.

Haradinaj ka falënderuar atë për vullnet dhe bashkëpunim mes dy shteteve.

Më poshtë statusi i tij i plotë:

Komisionet ndërshtetërore së shpejti takohen për rishikimin e demarkacionit në drejtim të Kullës dhe Çakorrit!

Për çështjen e rishikimit të Marrëveshjes për demarkacimin e kufirit me Malin e Zi, në raste të shumta, në mirëbesim të plotë, kam biseduar me homologun tim malazez, Dusko Markovic. Kosova dhe Mali i Zi janë gati të formojnë komisionet për rishikimin e demarkimit të kufirit më drejtim të Kullës dhe Çakorrit. Edhe gjatë Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Poznan, me kryeministrin e Malit të Zi rikonfirmuam dakordimin që komisionet të fillojnë punën në afat optimal dhe që së shpejti të hapet një pikë kufitare në Çakorr dhe Kullë. E falënderoj homologun tim, Dusko Markovic, për qasjen konstruktive dhe vullnetin për fuqizimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona.