“Hakmarrja izraelite”

Mohammed Nazzal

Të burgosurit palestinezë, të liruar nga burgjet izraelite, thonë se rojat kryen abuzime dhe ndëshkime kolektive pas sulmeve të Hamasit në Izrael më 7 tetor

Të burgosur palestinezë të cilët janë liruar nga burgjet izraelite kanë përshkruar se si gjatë qëndrimit të tyre në burg janë goditur me mjete të forta, u janë marrë rrobat, ushqimet dhe batanijet. Një e burgosur ka thënë se ajo ishte kërcënuar me përdhunim dhe se rojet kanë hedhur dy herë gaz lotsjellës brenda qelive.

BBC-ja ka folur me gjashtë persona gjithsej, të gjithë thanë se ishin rrahur përpara se të dilnin nga burgu.

Shoqata e të Burgosurve Palestinezë ka thënë se disa roje dyshohet se kanë urinuar mbi të burgosurit e prangosur. Dhe se gjashtë të burgosur kanë vdekur në paraburgimin izraelit në shtatë javët e fundit.

Izraeli në anën tjetër ka deklaruar se të gjithë të burgosurit janë ndaluar bazuar në ligj.

Tetëmbëdhjetëvjeçari, Mohammed Nazzal, ishte një nga të liruarit nga Izraeli javën e kaluar, në këmbim të grave dhe fëmijëve izraelitë të mbajtur peng nga Hamasi në Gazë. Ai ishte mbajtur në paraburgim në burgun Nafha pa asnjë akuzë, që nga gushti, dhe ka thënë se nuk e di se pse u arrestua.

Mohammedi ftoi gazetarët e BBC-së në shtëpinë e tij, në një rrugicë gjarpëruese në fshatin Qabatiya pranë Jeninit, në veri të Bregut të pushtuar Perëndimor.

Dhoma e pritjes së familjes ishte e mjegulluar nga tymi i cigareve. Mohammedi u ul në dhomë, i rrethuar nga të afërm meshkuj, me të dyja duart të lidhura, të mbajtura para tij fort, si një boksier.

Dhjetë ditë më parë, tregoi ai, rojet izraelite të burgut hynë në qelinë e tij me mikrofon dhe altoparlant dhe u përpoqën të provokonin të burgosurit duke duartrokitur dhe duke thirrur emrat e tyre.

“Kur e panë që nuk po reagonim, filluan të na rrihnin”, tha ai. “Na rreshtuan në atë mënyrë që të burgosurit e moshuar të futeshin më vonë dhe të rinjtë në fillim. Më morën dhe filluan të më rrahin. Unë po mundohesha të ruaja kokën time dhe ata përpiqeshin të më thyenin këmbët dhe duart”.

Familja u tregoi gazetarëve raportet mjekësore nga mjekët palestinezë në Ramallah, të cilët ekzaminuan Mohammedin pasi ai u lirua të hënën.

Fotot me rreze X gazetarët ua treguan dy mjekëve në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët konfirmuan se kishin fraktura në të dyja duart. Nuk ishte befasi për Mohammedin.

“Në fillim kam pasur shumë dhimbje”, tha ai. “Pastaj pas një kohe e kuptova që ishin të thyera, kështu që nuk i përdorja. I përdorja vetëm kur shkoja në tualet”.

Ai tha se të burgosurit e tjerë e ndihmuan të hante, të pinte dhe të përdorte banjën dhe se ai nuk kërkoi ndihmë mjekësore nga rojet nga frika se do ta rrihnin përsëri.

Shërbimi i Burgut të Izraelit e ka kundërshtuar historinë e Mohammedit, duke thënë se ai ishte ekzaminuar nga një mjek para se të dilte nga burgu, pa asnjë problem mjekësor të diagnostikuar.

Shërbimi i burgut ka publikuar gjithashtu një video të adoleshentit duke dalë nga burgu dhe duke hipur në një autobus të Kryqit të Kuq përpara lirimit të tij, gjë që sipas tyre dëshmon se pretendimet e tij janë të rreme.

Në video, duart e adoleshentit janë të pafashuara dhe duket se i janë varur anash – duke përfshirë edhe në pjesën kur ai hip në autobus.

Mohammedi tha se trajtimi i parë mjekësor që mori ishte në atë autobus të Kryqit të Kuq.

BBC-ja i kërkoi Kryqit të Kuq ta konfirmonte historinë e Mohammedit.

“Ne flasim drejtpërdrejt me autoritetet e paraburgimit nëse kemi ndonjë shqetësim për gjendjen shëndetësore të të paraburgosurve. Ne nuk flasim publikisht për raste individuale”, thanë ata në një deklaratë.

Mohammedi tha se sjellja e rojeve brenda burgjeve izraelite ndryshoi pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor. Ai tha se rojet i goditën me shkelma dhe përdorën mjete të forta, dhe përshkroi se si një roje e shkeli në fytyrë.

“Ata hynë me qentë e tyre”, vazhdoi ai. “Ata i lanë qentë të na sulmojnë dhe më pas filluan të na rrahin”.

“Na morën dyshekët, rrobat, jastëkët dhe na hodhën ushqimet në dysheme. Njerëzit ishin të tmerruar”.

Të burgosur të tjerë palestinezë me të cilët ka folur BBC-ja kanë përshkruar histori të ngjashme brenda burgjeve të Izraelit pas sulmeve të Hamasit, duke thënë se ata e kuptonin atë si “hakmarrje” ndaj të burgosurve palestinezë për veprimet e Hamasit.

Kreu i Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë, Abdullah al-Zaghary, ka thënë se shumë të burgosur kishin parë shokët e qelisë duke u rrahur dhunshëm dhe goditur në fytyrë dhe trup dhe se ai kishte dëgjuar se gardianët urinonin mbi të burgosurit e prangosur.

BBC-ja i ka kërkuar Shërbimit të Burgjeve të Izraelit një përgjigje për këto pretendime. Ata kanë thënë se të gjithë të burgosurit ishin të paraburgosur sipas ligjit dhe kishin të gjitha të drejtat themelore të shprehura me ligj.

“Ne nuk jemi në dijeni të pretendimeve që keni përshkruar”, thuhej në deklaratë. “Megjithatë, të burgosurit dhe të paraburgosurit kanë të drejtë të bëjnë ankesë që do të shqyrtohet plotësisht nga autoritetet zyrtare”.

Lama Khater, e liruar nga burgu në fillim të javës së kaluar, publikoi një video në mediat sociale duke pretenduar se një oficer i inteligjencës e kishte “kërcënuar në mënyrë eksplicite me përdhunim” menjëherë pas arrestimit të saj në fund të tetorit.

“Isha me pranga dhe sytë e lidhur”, i tha ajo një intervistuesi në video. “Ata më kërcënuan se do të më përdhunonin… Ishte e qartë se qëllimi ishte të më frikësonin”.

Izraeli tha se këto pretendime ishin bërë nga avokati i saj dhe ishin mohuar nga vetë e burgosura.

Por Lama Khater tha në një bisedë telefonike se gratë e burgosura – duke përfshirë edhe veten – ishin kërcënuar me përdhunim dhe se ishte përdorur gaz lotsjellës kundër të burgosurve në burgun Damon.

Shoqata e të Burgosurve Palestinezë ka thënë se ka pasur një rritje të numrit të vdekjeve në paraburgim që nga sulmet e 7 tetorit, me gjashtë persona që kanë vdekur në burg që nga ajo datë.

Në fshatin Qabatiya, Mohammed Nazzal tha se ka ende dhimbje të duarve të tij, veçanërisht gjatë natës.

Vëllai i tij Mutaz i tha BBC-së se adoleshenti që e njihte më parë nuk ishte kthyer nga burgu.

“Ky nuk është Mohammedi që ne njohim”, tha ai. “Ai ishte trim, guximtar. Tani zemra e tij është thyer dhe e mbushur me tmerr”.

Përktheu: Forca Jashari /koha.net