Hamasi i gatshëm “të lehtësojë” dorëzimin e administratës së Gazës te një organ i pavarur

Grupi palestinez Hamas ka deklaruar se është i gatshëm të lehtësojë transferimin e përgjegjësive administrative në Rripin e Gazës te një komitet i pavarur, duke theksuar se nuk ka ndërmend të jetë pjesë e ndonjë marrëveshejeje të ardhshme të qeverisjes në territorin palestinez, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, tha se grupi është duke pritur formimin e një komiteti të të pavarurëve për të mbikëqyrur administrimin e Gazës në sektorë të ndryshëm dhe theksoi se ka marrë mbështetjen e Hamasit dhe fraksioneve të tjera palestineze.

Ai tha se Hamasi do të lehtësojë procesin e dorëzimit dhe do të mbështesë punën e komitetit, duke theksuar se grupi prej kohësh ka vendosur të qëndrojë jashtë çdo kornize administrative për drejtimin e enklavës.

Komentet vijnë në sfondin e vendimeve të miratuara në një samit të jashtëzakonshëm arab mbi Gazën në mars të vitit 2024, i cili hodhi poshtë çdo formë të zhvendosjes së detyruar të palestinezëve dhe miratoi planin e Egjiptit për rindërtimin e Gazës si një iniciativë të unifikuar arabe.

Plani parashikon krijimin e një komiteti të përkohshëm administrativ për të drejtuar Gazën gjatë një periudhe kalimtare 6-mujore. Organi do të jetë i pavarur, i përbërë nga teknokratë pa lidhje fraksionale dhe do të veprojë nën autoritetin e qeverisë palestineze, një marrëveshje që Hamasi e përshëndeti në atë kohë.

Qëndrimi i Hamasit gjithashtu pasoi raportet e ‘Times of Israel’ se presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të zbulojë fazën e dytë të propozimit të tij për Gazën javën e ardhshme, pavarësisht rezervave të raportuara nga Izraeli.

Raporti tha se Trump planifikon të njoftojë krijimin e një “këshilli të paqes” dhe organeve të tjera qeverisëse të ngarkuara me administrimin e Gazës pas një vonese prej disa javësh.

Më 29 shtator të vitit 2025, Trump zbuloi një plan 20-pikësh që synonte t’i japë fund luftës izraelite në Gaza. Propozimi përfshinte një armëpushim, lirimin e pengjeve izraelite, tërheqjen e Izraelit nga enklava, formimin e një administrate teknokratike dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi, së bashku me një thirrje për çarmatosjen e Hamasit.

Më 18 nëntor të vitit 2025, Këshilli i Sigurimi i OKB-së miratoi një rezolutë të mbështetur nga SHBA-ja që lejonte vendosjen e një force të përkohshme ndërkombëtare në Gaza deri në fund të vitit 2027 për të ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit nën një komandë të unifikuar të miratuar nga këshilli.

Që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit më 10 tetor, ushtria izraelite ka kryer qindra shkelje, duke vrarë të paktën 424 palestinezë dhe duke plagosur rreth 1.190 të tjerë.

Armëpushimi ndaloi luftën 2-vjeçare të Izraelit në Gaza, ku që nga tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 71.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe ka plagosur mbi 171.200 të tjerë.