Haradinaj e quan të papranueshme deklaratën e Dedajt për Turqinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është distancuar nga deklaratat e zëvendësministrit të Jashtëm, Gjergj Dedaj lidhur me deklarimet për Turqinë.

Haradinaj me anë të një postimi në Facebook, është shprehur se deklarimet fyese ndaj Turqisë, janë të papranueshme për Qeverinë e Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh qëndrim se, deklarimet mediale që kanë përmbajtje gjuhën fyese ndaj Republikës së Turqisë, nga kushdo qofshin, janë të papranueshme dhe nuk paraqesin politikën zyrtare të Qeverisë Haradinaj, as kur ato thuhen nga ndonjë zyrtar i kësaj qeverie apo kushdoqoftë tjetër”.

“Këto deklarime, nuk paraqesin as dëshirën e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për ruajtjen e marrëdhënieve tashmë tradicionalisht të mira që ka Republika e Kosovës me Republikën e Turqisë dhe popullin turk!”, ka shkruar Haradinaj, përcjell lajmi.net.

Gjergj Dedaj, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, të dielën përmes një postimi në Facebook ka thënë se Turqia dhe Serbia synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë, përmes emisarëve të tyre. Madje, ish-lideri i Partisë Liberale të Kosovës, këto dy shtete i ka quajtur ‘Shtriga të Ballkanit’.

Deklarimet e zëvendësministrit Dedaj kanë nxitur reagimin e përfaqësuesve të komuniteti turk, të cilët përmes deputetit të tyre në Parlamentin e Kosovës, Fikrim Damka, i kanë thënë kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që ta shkarkojë zëvendësministrin Dedaj.