Heronjtë e defaktorizimit dhe të varfërimit të shqiptarëve!

Kim Mehmeti

Nga Kim Mehmeti

Mediat e Tiranës bëjnë me dije se Shqipëria ka humbur në gjykatën e Arbitrazhit nga shtatë kompani dhe se duhet të paguajë një borxh i cili kap vlerën e mbi 445 milionë eurosh. Sikur këto para t’u ishin ndarë shqiptarëve, çdonjëri nga ata do fitonte nga mbi njëqind euro, aq sa tani do duhet të paguajë për teket e Kryeministrit, i cili vetveten e ndjen si epiqendër të shqiptarisë, e vendin e vet si periferi të pavlerë me të cilën mund të bësh ç’të duash.
Ndërkohë, thuajse të gjithë ish burrështetasit e Kosovës, i hidhërohen Kryeministrit aktual të vendit si të ishin zyrtarë të Beogradit, edhe atë vetëm pse ai tregohet aq kokëfortë ndaj Serbisë dhe asaj ia rikujton krimet e deritanishme që i ka bërë mbi shqiptarët. Dhe ata i hidhërohen sepse ai i përballë me turpin e tyre të deridjeshëm, kur paaftësinë e vet ata e mbulonin me kapotën Properëndimore dhe lëshimet ndaj Serbisë. Dhe kur verbëria zhvatëse nuk i lejonte të shohin se, nëpërmjet dialogut me Kosovën, Serbia vetëm blenë kohë për t’u armatosur e për t’u bërë gati që ta realizojë ‘Botën Serbe’, siç ndryshe tani emërohet projekti i ‘Serbisë së madhe, e drejtë së cilës çon edhe ‘mini shengeni ballkanik’ aq i përkrahur nga Piktori.
Siç duket vetëm shqiptarëve të Maqedonisë u ndodhin të papritura të ‘këndshme’: shtohet numri i sllavo-maqedonasve që u rikthehen rrënjëve dhe të cilët, për t’u punësuar nëpër institucionet shtetërore, deklarohen si shqiptarë. Me çka ‘rritet’ përqindja e shqiptarëve të punësuar neper institucionet e shtetit sipas ‘konceptit’ politik të kryetarit to BDI-së: më mire të punësohet një shqiptarë i përkohshëm i partisë maqedonase në pushtet se sa një shqiptarë i vërtetë që nuk e ka librezën e partisë së tij.
Por sidoqoftë edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë e Shkup, flitet për anëtarësimin tonë në BE. Dhe Brukselin e kemi shpallur kryeqendër tonë njësoj si dikur Beogradin, Moskën e Pekinin, e me çka edhe njëherë tregojmë se kemi jetuar dhe jetojmë në kohë për të cilat nuk kemi qenë, e nuk jemi të përgatitur.
Po pra, shumë nga burrështetasit tan ngjajnë në heronj të defaktorizimit dhe varfërimit tonë. E ndërkohë ata flasin për të ardhmën tonë më të mirë dhe për luftën kundër krimit e hajdutërisë. Me çka ta rikujtojnë të vërtetën se çdonjëri flet për atë që i mungon: i burgosuri për lirinë, prostituta për virgjërinë, e burrështetasit e ‘Shqipërive’ tona për ndershmërinë!