Hungaria do të votojë kundër marrëveshjes tregtare BE-Mercosur

Hungaria do të votojë kundër marrëveshjes së propozuar të tregtisë së lirë BE-Mercosur, tha sot ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, transmeton Anadolu.

“Komisioni Evropian po bën presion për të miratuar dhe zbatuar një marrëveshje që do të hapte tregjet evropiane për atë që ai i përshkroi si importe të pakufizuara të produkteve bujqësore të Amerikës së Jugut”, tha Szijjarto në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

“Komisioni Evropian po detyron një marrëveshje që do të bie në kurriz të jetesës së fermerëve hungarezë”, tha Szijjarto duke shtuar se Budapesti e kundërshton fuqimisht marrëveshjen në formën e saj aktuale.

Marrëveshja do të ofrojë tarifa preferenciale për importet e mishit të viçit, shpendëve, produkteve të qumështit, sheqerit dhe etanolit nga Brazili, Argjentina, Paraguai, Uruguai dhe Bolivia ndërsa mallrat industriale evropiane do të fitojnë akses më të gjerë në tregjet e Amerikës së Jugut.

Marrëveshja që fillimisht pritej të nënshkruhej në dhjetor, u shty për vitin e ri për shkak të kundërshtimit të minutës së fundit nga vendet anëtare si Franca dhe Italia, të cilat ishin të shqetësuara për ndikimet bujqësore.

Kundërshtimi ndaj marrëveshjes është shfaqur edhe diku tjetër. Në mesin e dhjetorit, fermerë nga disa vende evropiane, përfshirë Francën dhe Italinë, protestuan në Bruksel, duke paralajmëruar se preferencat tarifore të Mercosur-it mund të dëmtojnë bujqësinë evropiane.