I burgosuri nga Guantanamo transferohet në Marok

Shtetet e Bashkuara liruan të hënën nga burgu i Guantanamos Abdul Latif Nasser-in, dikur komandant i talebanëve në Afganistan, duke e transferuar atë në vendlinjen e tij Marok, pas 19 vitesh në qendrën e ndalimit në Gjirin e Guantanamos në Kubë.

Ky është transferimi i parë i një të burgosuri nga Guantanamo gjatë administratës së Presidentit Biden. Një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara janë “shumë të përqëndruara” në rishikimin e sigurisë kombëtare, transferimin e më shumë të burgosurve nga Guantanamo në vende të tjera të gatshme për t’i pritur ata dhe mbylljen e burgut.

Transferimi i 56-vjeçarit Nasser në vendlindjen e tij Marok, pesë vite pasi zyrtarët e lartë amerikanë vendosën fillimisht se ai nuk përbënte më kërcënim të rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, e çon në 39 numrin e të burgosurve të mbetur në qendrën e ndalimit në Guantanamo.

Burgu në cepin lindor të Kubës ka qënë dikur strehë e 700 të dyshuarve terroristë pas sulmeve të al-Kaidës më 11 shtator 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Por aktivistët e të drejtave të njeriut i kritikonin shpesh Shtetet e Bashkuara lidhur me funksionimin e burgut të sigurisë së lartë, duke arësyetuar se ndalimi i një numri kaq të madh luftëtarësh të kapur në fushat e betejës në të gjithë Lindjen dhe Azinë Jugore ishte i tepruar dhe trajtimi i tyre në Guantanamo ishte çnjerëzor.

Shtëpia e Bardhë thotë se z. Biden dëshiron që deri në fund të mandatit të tij katër vjeçar të mbyllë qendrën e Guantanamos. Nga 39 të burgosurit e mbetur, Shtëpia e Bardhë thotë se 10 tashmë i plotësojnë kushtet për transferim në vendet e tjera. 17 të tjerë do t’i nënshrohen rishikimeve të mëtejshme, 10 janë të përfshirë në procese gjyqësore ushtaraka dhe dy janë dënuar.

Zyrtarët amerikanë thanë se ishin mirënjohës ndaj Marokut për pranimin e transferimit të Nasser-it, megjithëse ishte e paqartë nëse ai do të lirohej apo ndalimi i tij do të zgjatej.

Pentagoni theksoi “garancitë e sigurisë dhe trajtimit njerëzor” që Maroku u kishte premtuar Shteteve të Bashkuara.

Fillimisht Nasseri i kishte plotësuar kushtet për lirim në vitin 2016, pranë përfundimit të mandatit të ish Presidentit Barack Obama, i cili pa sukses kërkoi të mbyllte Guantanamon, por transferoi 170 të burgosur në vendet e tyre ose vendet të treta gjatë tetë viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Pasardhësi i z. Obama, ish Presidenti Donald Trump transferoi vetëm një të burgosur në Arabinë Saudite që të vuante dënimin atje. Z. Trump e kundërshtoi mbylljen e Guantanamos dhe kërcënoi se do të dërgonte më shumë të burgosur atje.

Hina Shamsi, drejtore e projektit të sigurisë kombëtare në Unionin Amerikan të Lirive Civile, e quajti lirimin e Nasser-it “një zhvillim inkurajues”. Ajo e quajti “absurd” faktin që Nasseri “vazhdoi të vuante në Guantanamo pasi i plotësoi kushtet për transferim në Marok pesë vite më parë”.

Nasseri u dërgua në Gjirin e Guantanamos në maj të vitit 2002 pasi luftoi për talibanët në Afganistan si një komandant dhe trajnues armatimi.

Një nga zyrtarët e lartë të administratës së Presidentit Biden, i cili i informoi gazetarët gjatë një konference telefonike, tha se: “Ne kemi ndërmarrë një transferim të përgjegjshëm”.

Zyrtari shtoi se, “Administrata e Presidentit Biden mbetet e përkushtuar për në një proces të matur dhe të plotë, të përqendruar në zvogëlimin me përgjegjësi të numrit të të ndaluarve dhe përfundimisht mbylljen e burgut të Guantanamos.” “Dua të nënvizoj se, siç kemi demonstruar sot, administrata e z. Biden do të vërë në punë të gjitha burimet e nevojshme diplomatike për të lehtësuar transferimin e të arrestuarve që i plotësojnë kushtet”, tha zyrtari. /voa