IKSHPK tregon për gjendjen e ujit në Liqenin e Badovcit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton popullatën se është duke bërë monitorimin dhe përcjelljen në vazhdimësi të cilësisë së ujit të Liqenit akumulues të Badovcit.

Analizat e fundit laboratorike tregojnë për rënie të vlerave referente të manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës, por që, ende nuk janë arritur vlerat sipas standardeve të parapara në Udhëzimin administrativ nr. 10/2021 – Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu.

Po ashtu është bërë e ditur se Ekipet e IKSHPK-së janë në terren 24/7 dhe po bëhen çdo ditë analiza fiziko-kimike të ujit të prodhuar në Fabrikën që furnizohet nga Liqeni akumulues i Badovcit dhe qytetarët do të njoftohen me kohë për normalizimin e parametrave referent të ujit të pijshëm.

Më tutje thuhet se Uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera, përveç përgatitjes së ushqimit, sepse uji i vluar nuk e zvogëlon sasinë e manganit.