INDEP: Cilësia e ajrit në Kosovë, problem ekzistencial për shëndetin publik

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në bashkëpunim me Ambasadën Franceze në Kosovë, ka mbajtur tryezën diskutuese me titull ‘Cilësia e ajrit në Kosovë: Drejt standardeve evropiane’.

Pjesëmarrës në këtë takim diskutues ishin përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE), Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, zyrës së BE-së në Kosove, ambasadës franceze, si dhe shoqërisë civile, transmeton Klan Kosova.

Dardan Abazi nga INDEP ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së diskutimeve të tilla edhe gjatë muajve të verës kur ndotja e ajrit nuk është edhe aq e dukshme si gjatë muajve të tjerë.

Në anën tjetër, Joseph Giustiniani, Atashe për Bashkëpunim në Ambasadën Franceze, ka përmendur një sërë aktivitetesh që ambasada ka ndërmarrë për të rritur vetëdijesimin rreth ndotjes së ajrit.

Ai ka thënë që shpreson shumë që nga rekomandimet e dala nga ky hulumtim dhe ky takim në veçanti të ketë rezultate konkrete.

Mathilde Tchounikine para të pranishmëve ka prezantuar gjetjet e punimit të INDEP me titull ‘Cilësia e ajrit në Kosovë: Drejt standardeve evropiane’.

“Ky hulumtim ofron një vlerësim të asaj se ku qëndron Kosova Standardet e Bashkimit Europian mbi cilësinë e ajrit, i cili plotësohet me një grup të rekomandime konkrete se cilat veprime duhet të ndërmerren për të përmbushur kriteret e BE-së dhe të lehtësojë procesin e pranimit në BE”.

Diskutimi ka vijuar me fjalën e panelistëve dhe është karakterizuar me debat të ndërsjellë me audiencën. Nga MMPH, Sabit Restelica, ka prezantuar të dhënat e niveleve të ndotjes së ajrit në Kosovë.

“Në një pjesë të konsiderueshme të vitit kemi tejkalime shqetësuese të niveleve të lejuara të ndotjes. Kjo tregon se me të vërtetë kemi mjaftë punë për të bërë për të arritur standardet evropiane”.