Instagram do të fillojë mbylljen e llogarive të adoleshentëve australianë, përpara ndalimit të mediave sociale

Meta ka nisur mbylljen e llogarive të adoleshentëve australianë 13–15 vjeç, përpara hyrjes në fuqi të ndalimit kombëtar të rrjeteve sociale për nën-16-vjeçarët.

Kompania njoftoi përdoruesit përmes mesazheve, email-it dhe njoftimeve në aplikacion, ndërsa ligji i ri hyn në fuqi më 10 dhjetor.

Ndërkohë, fëmijët nën 16 vjeç nuk do të mund të krijojnë llogari të reja në Instagram, Facebook dhe Threads.

Përdoruesve të prekur u është kërkuar të shkarkojnë postimet dhe mesazhet para mbylljes së llogarisë, ndërsa ata që pretendojnë se janë mbi 16 vjeç mund të verifikohen me video-selfie ose dokument identifikimi.

Autoritetet paralajmërojnë gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë për platformat që nuk marrin masa të arsyeshme. Qeveria e quan këtë një hap për “t’u lejuar fëmijëve të jenë fëmijë”, ndërsa Meta kundërshton ligjin, por thotë se do të respektojë rregullat.

Ndërkohë, edhe platforma si Roblox po prezantojnë kufizime të reja për sigurinë e të miturve në Australi.