Intel Core i5-13400 do të trazojë segmentin e procesorëve buxhetorë

Performanca e procesorit u mat në Cinebench R23, Blender dhe PugetSystem ku përfshihen aplikacionet Adobe Premiere dhe Photoshop.

Testimet e performancës së procesorëve të serive jo-K Raptor Lake kanë vijuar të publikohen ende pa u prezantua formalisht nga Intel dhe i radhës është modeli i segmentit të mesëm Core i5-13400 që vjen për të zëvendësuar modelin Alder Lake i5-12400.

Sipas informacioneve të industrisë procesorët e rinj Intel pritet të shiten duke filluar në ditët e para të Janarit.

Core i5-13400 ndryshe nga gjenerata e kaluar i5-12400 që kishte vetëm bërthama performance, tashmë vjen edhe me bërthama efikasiteti.

Konkresith ka 6 bërthama performance(P-Cores) dhe 4 bërthama efikasitetit(E-Cores) për një total prej 10 bërthamash dhe 16 threads. Frekuenca bazë e procesorit është 2.5Ghz dhe ka një frekuencë turbo prej 4.1Ghz me të gjitha bërthamat ose 4.6Ghz me një bërthamë.

Ka 28MB L3 Cache dhe një TDP bazë prej 65W por që mund të shkojë deri në 120W. Presim që ky procesor të shitet për 200 dollarë, një segment ku Intel aktualisht dominon me gjeneratën e 12-të.

Performanca e procesorit u mat në Cinebench R23, Blender dhe PugetSystem ku përfshihen aplikacionet Adobe Premiere dhe Photoshop.

Në Cinebench Core i5-13400 ishte 10% më i ngadaltë sesa 12600K me shumë bërthama dhe 5% më i ngadaltë me një bërthamë. Testimi në PugetSystem tregoi një diferencë performance prej -5%, po aq edhe në Blender krahasuar me 12600K.

Pyetja e madhe është sesa do të kushtojë? Kujtojmë që Core i5-12400 shitej për 200 dollarë ndërsa modeli pa grafika të integruara 12400F mes 170 deri në 180 dollarë.

Nëse ruhet i njëjti çmim edhe për i5-13400F, do të ishte vrastare për çdo procesor rival në këtë segment. Aktualisht 12600K shitet për 240-250 dollarë.

Gjithashtu modeli i gjeneratës së 13-të do të jetë i përshtatshëm për pllakat amë B760 dhe B660 dhe të kombinohet me memorie DDR4 ose DDR5 ndryshe nga seritë Ryzen 7000 të AMD që funksionojnë vetëm me DDR5. /PCWorld Albanian