Interpol tërheq urdhrin për arrestimin e Kardavit

Dr. Jusuf Kardavi (r.a)

Organizata Ndërkombëtare e Policisë (Interpol) ka tërhequr urdhrin për arrestimin e kryetarit të Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, Jusuf el-Kardavi (91) pas kërkesës së Egjiptit, i cili kërkohej me fletëarrest të kuq nga Interpol, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim me shkrim nga Organizata Arabe e të Drejtave të Njeriut me qendër në Britani, thuhet se: “Emri i kryetarit të Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, Jusuf el-Kardavi nuk është më në listën e të kërkuarve me fletëarrest të kuq të Interpol-it”.

Në këtë njoftim thuhet se arsyeja pse është shtuar emri i Kardavit në këtë listë kanë qenë krimet si vrasje dhe plaçkitjet në vend, por që dosja është anuluar për shkak të faktit se këto krime kanë ndodhur kur ai ishte jashtë vendit.

Po ashtu në këtë njoftim bëhet e ditur se Interpol tani ka më shumë informacione për trazirat në Egjipt, duke theksuar se organizata pasi që ka hulumtuar të gjitha personat në listën e të kërkuarve nga administrata e grusht shtetit në Egjipt, përveç njërit të gjithë i ka shpallur të pafajshëm.

Ky vendim u mirëprit nga presidenti i Organizatës Arabe për të Drejtat e Njeriut, Muhammed Cemil, i cili tha se: “Kjo ngjarje është një fitore kundër regjimit të grushtit të shtetit, i cili ka vrarë, arrestuar egjiptianë të pafajshëm dhe i ka bërë ata të rrëfehen në mënyrë të rrejshme me dhunë që në këtë mënyrë ka mundësuar që emrat e tyre të figurojnë në Interpol”.

Në vendimin e vitit 2014 të publikuar në ueb faqën zyrtare të organizatës me qendër në Lion të Francës, në lidhje me shtetasin egjiptas dhe të Katarit, Jusuf el-Kardavi thuhet se është shpallur në kërkim me fletëarrest të kuq për këto krime: “Nxitje dhe ndihmë në kryerjen e qëllimshme të krimit, ndihmë në arratisjen e të burgosurve, zjarrvënie, vandalizëm dhe vjedhje”.

Kardavi, i cili dihet se ndodhet në Katar, kishte kundërshtuar grushtin ushtarak në Egjipt i cili largoi presidentin e parë të zgjedhur të Egjiptit, Muhammed Mursi dhe kishte kritikuar ashpër presidentin e zgjedhur pas grusht shtetit Abdulfettah es-Sisi.

Dihet se Gjykata në Egjipt, duke cituar akuzat kundër Kardavit, në dhjetor të vitit 2013 kërkoi nga Interpol që të lëshojë fletëarrest të kuq për të.

Interpol, pas kërkesës së Egjiptit, lëshoi urdhër për arrestimin e shumë shefave të organizatës Vëllazëria Muslimane (Ihvan) me fletëarrest të kuq.