Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Iran, numri i të vdekurve në protesta rritet në 5.848

Iran, numri i të vdekurve në protesta rritet në 5.848

Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA njoftoi se është rritur në 5.848 numri i të vdekurve nga protestat në Iran, të cilat filluan për shkak të problemeve ekonomike, transmeton Anadolu.

Sipas HRANA-s, 41.283 persona janë arrestuar si pasojë e ngjarjeve në shumë pjesë të vendit. Në përleshjet e shënuara gjatë demonstratave, kanë humbur jetën 5.848 persona, përfshirë 209 personel sigurie.

HRANA raportoi dje se numri i të vdekurve ishte rritur në 5.459.

– Protestat në Iran

Protestat në Iran filluan më 28 dhjetor 2025 në Pazarin e Madh të Teheranit, të udhëhequra nga tregtarët, për shkak të zhvlerësimit të shpejtë të monedhës vendase kundrejt valutave të huaja dhe thellimit të vështirësive ekonomike. Këto protesta u përhapën në të gjithë vendin.

Pas përleshjeve që u përshkallëzuan gjatë protestave në kryeqytetin Teheran më 8 janar, qeveria bllokoi aksesin në internet.

Instituti i Mjekësisë Ligjore i Fondacionit të Martirëve dhe Veteranëve Iranianë njoftoi dje se gjatë protestave kanë humbur jetën 3.117 persona, përfshirë forcat e sigurisë dhe civilë.

Nga këta, 2.427 u identifikuan si forca sigurie dhe civilë të vrarë nga “grupet e armatosura terroriste” ndërsa nuk u dha informacion për 690 të tjerët.

Edhe pse protestat në Iran kanë mbaruar, HRANA me seli në Virxhinia, vazhdon të përditësojë shifrat e vdekjeve dhe të ndalimeve, duke pretenduar se ka konfirmuar edhe më shumë raste.