Granatimet e artilerisë izraelite shënjestruan disa zona në jug të Libanit, përfshirë Mansourin dhe Majdal Zounin në sektorin perëndimor, raportoi sot agjencia shtetërore libaneze e lajmeve NNA, transmeton Anadolu.
Granatimet e artilerisë goditën dy vendbanimet ndërsa të shtënat me mitraloz u drejtuan drejt Beit al-Sayyad. Granatimet shënjestruan gjithashtu periferitë e vendbanimeve Haddatha dhe Baraachit.
Artileria izraelite goditi edhe zonën Al-Araish, që ndodhet mes vendbanimeve Haris dhe Haddatha, në zonën Bint Jbeil. Më herët gjatë mëngjesit, granatimet e artilerisë goditën periferitë e vendbanimit Shaqra dhe zonën Wadi al-Salouqi.
Deri më tani nuk ka raportime për viktima apo dëme materiale të shkaktuara nga sulmet.
Libani dhe Izraeli janë përfshirë në negociata të ndërmjetësuara nga SHBA-ja që prej marsit, me synimin për të trajtuar çështjet e sigurisë përgjatë kufirit dhe për t’i dhënë fund pushtimit izraelit dhe sulmeve ndaj territorit libanez.




